Nga: Peg Rosen
Rishikimi profesional nga: Jerome Schultz, PhD
Në këtë artikull gjeni:
- Nuk është e pazakonshme që fëmijët me disleksi të përjetojnë ankth
- Ankthi zakonisht është i kufizuar në situatat ku kemi të bëjmë me lexim.
- Ka mënyra për t’i ndihmuar fëmijët me disleksi të ballafaqohen me ankthin.
Fëmijët e dinë ç’rëndësi të madhe ka leximi. Këtë ata e dëgjojnë nga prindërit dhe mësuesit e tyre që në vegjëlinë e hershme. Për fëmijët me disleksi, vështirësia me një aftësi kaq jetike mund të shkaktojë goxha stres. E kjo mund të shpjerë në ankth.
Rëndom, këto ndjenja janë të kufizuara në situatat ku përfshihet leximi. Por disa fëmijë me disleksi zhvillojnë një problem më të madh me ankth. Ata fillojnë të stresohen madje veç kur u bie ndër mend leximi. Aq më shumë edhe tmerrohen nga ky fakt.
Kur fëmijët me disleksi kanë ankth, ata shpesh bllokohen në fjalitë “çka nëse”. Çka nëse fëmijët e tjerë më dëgjojnë tek lexoj një libër të lehtë e të mendojnë se jam budalla? Çka nëse mësuesi më kërkon të lexoj kurse unë të ngec në fjalë?
Ata mund të jenë të frikësuar nga dështimi, të paragjykuarit ose nga turpërimi. Mund edhe të ketë momente kur ata druhen se kurrë nuk do të mësojnë apo të kenë sukses në asgjë për shkak të sfidës së leximit. Kjo mund t’i bëjë ata të ndalojnë së provuari dhe t’i kalojnë sfidat.
Marrja e përkrahjes së duhur dhe mësimit të leximit mund të bëjë dallim të madh. Fëmijët e vërejnë se aftësitë e tyre përmirësohen me përkrahje dhe punë të madhe. Këto përmirësime mund të ndihmojnë në zvogëlimin e ankthit dhe të nxisin vetëbesim.
Zhytu më thellë
Shenjat e ankthit te fëmijët me disleksi
Ankthi shpërfaqet në mënyra të ndryshme dhe mund të ndryshojë formë gjersa fëmijët rriten. Shenjat poashtu mund të jenë të ndryshme, varësisht nëse ankthi është i kufizuar në lexim apo është më i përgjithshëm.
Ja çfarë mund të shihni kur fëmijët me disleksi kanë ankth:
- Fëmija bëhet nervoz dhe i paqëndrueshëm pa arsye të qartë;
- Ai qan shpesh;
- Sillet keq në klasë, veçanërisht kur është koha për të lexuar;
- Nuk i bën detyrat e shtëpisë ose të klasës;
- Iu shmanget situatave që mund të përfshijnë leximin;
- Zbrapset nga fëmijët dhe aktivitetet;
- Shpesh ankohet për dhimbje të kokës dhe të barkut;
- Frikësohet të bëjë edhe gabime të vogla;
- Pyet “çka nëse” vazhdimisht;
- Shqetësohet për gjëra në të ardhmen e largët.
Disleksia, ankthi dhe vetëbesimi i ulët
Për fëmijët me disleksi, sfidat nuk mbarojnë në shkollë. Jeta e përditshme iu kërkon atyre të lexojnë poashtu, qoftë një menu, shenjë në ndonjë shitore, apo udhëzimet e përdorimit të ndonjë pajisjeje.
Për shumë fëmijë, këto mundime të vazhdueshme nuk shpiejnë vetëm në ankth. Ato gjithashtu ulin vetëbesimin. Fëmijët me disleksi janë po aq të mençur sa moshatarët e tjerë. Mirëpo, ballafaqimi me pengesa dhe kritika negative në shkollë mund t’ua zvogëlojë vetëbesimin atyre.
Telashja me leximin mund të sajojë ndjenja të pamundësisë të cilat ndikojnë mësimin në fusha tjera. Fëmijëve u krijohet përshtypja se nëse ata janë “të tmerrshëm” në lexim, “të tmerrshëm” do të jenë në çdo gjë tjetër.
Ata poashtu mund të mendojnë se çkado që bëjnë nuk përbën ndonjë ndryshim. Në vend të një mendësie zhvilluese, ata parandiejnë se kurrë s’do të përmirësohen.
Disleksia dhe çrregullimet e ankthit
Disleksia nuk predispozon që fëmijët të stresohen. Megjithatë në shumë raste, sa më shumë që fëmijët ballafaqohen me stres, aq më të ndjeshëm ndaj tij do të bëhen. Kjo – edhe gjenetika – mund të shkaktojnë një çrregullim kronik të ankthit.
Me një çrregullim të ankthit, shqetësimi dhe frikat përhapen në të gjitha aspektet e jetes. Njerëzit iu frikësohen ngjarjeve të përditshme dhe janë të fiksuar në mos gjërat do të shkojnë keq. Ky çrregullim ndikon në individin në mënyrën si ai funksionon dhe i bëhet barrierë në shijimin e jetes.
Edhe pse disleksia nuk shpie drejtpërdrejt te çrregullimi i ankthit, këto dyja mund të koincidojnë. Nëse fëmija yt i ka të dyja, atëherë ta dini se nuk jeni të vetëm. Sipas një studimi, afër 29% e fëmijëve me ndonjë paaftësi të mësimnxënies, e kanë gjithashtu një çrregullim të ankthit.
Si t’i ndihmojmë fëmijët me disleksi që kanë ankth
Ka një mori mënyrash për ta zvogëluar ankthin te fëmijët me disleksi. Përkrahja në shkollë është kyçe për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se ata mund të përmirësohen në lexim.
Shfaqja e empatisë gjithashtu luan rol të posaçëm në përkrahjen e fëmijëve për t’u përballur me ankthin. Është e rëndësishme për fëmijët të dinë se familjet dhe mësuesit e tyre i kuptojnë dhe i respektojnë nevojat e tyre.
Mënyra të tjera për ta trajtuar ankthin te fëmijët janë edhe konsultimi dhe barnat për ankth të cilat duhet të përshkruhen nga mjeku kompetent.
Burimi: Understood
Rreth autorit:
Peg Rosen është shkrimtare në platformat Parent Center, WebMD, Parents, Good Housekeeping dhe Martha Stewart.
Rishikuar nga:
Jerome Schultz, PhD është specialist në të punuarit me fëmijë, adoloshentë dhe të rinj me vështirësi në nxënie të mësimit. Ai ka filluar karrierën si mësues special i edukimit.
Solli në shqip: Prinderimi.com