Fëmijët mësojnë shumë nga ajo që u themi, por edhe më shumë nga ajo që shohin çdo ditë. Mënyra si i trajtojmë të tjerët, si reagojmë ndaj gabimeve dhe si sillemi kur askush nuk na vëzhgon, u përcjell atyre mesazhe të rëndësishme për atë që ka vlerë në jetë. Prandaj, edukimi i vlerave fillon shumë përpara se fëmijët të jenë në gjendje t’i përkufizojnë ato me fjalë.
Dita Botërore e Vlerave, e shënuar më 15 tetor, na fton të reflektojmë mbi parimet që udhëheqin vendimet dhe sjelljet tona. Vlerat si ndershmëria, respekti, përgjegjësia, mirësia dhe drejtësia ndikojnë në marrëdhëniet tona dhe në mënyrën si kontribuojmë në familje e në shoqëri.
Vlerat mësohen përmes shembullit
Prindërit janë ndër ndikimet më të rëndësishme në zhvillimin moral të fëmijëve. Megjithatë, t’u kërkosh fëmijëve të jenë të sinqertë, ndërsa vetë shmangim përgjegjësinë për gabimet tona, mund t’ua vështirësojë kuptimin e kësaj vlere.
Këtë e mbështesin edhe hulumtimet shkencore. Një studim i vitit 2021, që përfshiu 1,107 familje nga 11 grupe kulturore, shqyrtoi lidhjen ndërmjet ngrohtësisë prindërore, vlerave familjare dhe sjelljeve prosociale të fëmijëve, si ndihma dhe kujdesi për të tjerët. Rezultatet treguan se ngrohtësia prindërore lidhej me zhvillimin e këtyre sjelljeve me kalimin e kohës. Kjo sugjeron se marrëdhëniet e ngrohta dhe mbështetëse mund të krijojnë një mjedis ku fëmijët mësojnë ta marrin parasysh edhe mirëqenien e të tjerëve.
Po ashtu, një meta-analizë e publikuar në revistën Social Development, e cila shqyrtoi 124 studime, gjeti se prindërimi autoritativ, që ndërthur mbështetjen emocionale me kufij të qartë dhe të qëndrueshëm, lidhej pozitivisht me sjelljet prosociale te fëmijët dhe adoleshentët. Pra, edukimi i vlerave nuk kërkon vetëm rregulla, por edhe marrëdhënie në të cilat fëmijët ndihen të dëgjuar dhe kuptojnë arsyet pas tyre.
Si t’i zhvillojmë vlerat në jetën e përditshme?
Edukimi i vlerave nuk kërkon gjithmonë biseda të gjata ose mësime të veçanta. Shpesh, mundësitë më të mira shfaqen gjatë situatave të zakonshme.
Nxisni empatinë. Kur fëmija konfliktohet me një shok, ndihmojeni të mendojë se si mund të jetë ndier personi tjetër.
Jepuni përgjegjësi të përshtatshme për moshën. Rregullimi i lodrave dhe ndihma në punët e shtëpisë i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë kontributin e tyre në familje.
Vlerësoni veprimet konkrete. Në vend të lavdërimeve të përgjithshme, tregojuni çfarë ishte e vlefshme në sjelljen e tyre, si ndarja me të tjerët ose pranimi i një gabimi.
Diskutoni dilemat morale. Pyetini si do të vepronin në një situatë të caktuar dhe pse, në mënyrë që të mësojnë të arsyetojnë për vendimet e tyre.
Nga vlerat te veprimet e mira
Tema e këtij viti, vlerat dhe vullnetarizmi, na kujton se parimet marrin kuptim kur shndërrohen në veprime. Fëmijët mund të ndihmojnë një shok që ka vështirësi, të dhurojnë libra ose të marrin pjesë në aktivitete për të mirën e komunitetit. Edhe një gjest i vogël mirësie mund t’i ndihmojë të kuptojnë se veprimet e tyre ndikojnë te të tjerët.
Prindërit dhe shkollat mund t’i mbështesin këto përvoja duke u dhënë fëmijëve mundësi të marrin iniciativa dhe duke diskutuar me ta për ndikimin e veprimeve të tyre.
Në fund, qëllimi nuk është vetëm të rrisim fëmijë që i dinë vlerat, por fëmijë që përpiqen t’i jetojnë ato. Kjo kërkon kohë, shembuj të qëndrueshëm dhe biseda të hapura. Çdo ditë ofron një mundësi për t’i ndihmuar të kuptojnë se respekti, ndershmëria dhe mirësia nuk janë vetëm fjalë, por zgjedhje që ndërtojnë marrëdhënie më të shëndetshme dhe një shoqëri më të përgjegjshme.
Prinderimi.com
