Fëmija juaj do të mësojë në klasën e parë se si ta përdorë lapsin në mënyrë të duhur, të formojë shkronja dhe numra dhe të shkruajë fjalë. Vazhdoni të lexoni për të mësuar se çfarë pritet nga fëmijët e klasës së parë sa i përket shkrimit të dorës dhe si mund t’i ndihmoni në shtëpi. Le të shohim se çfarë do të mësojnë fëmijët dhe si mund ta përmirësojnë shkrimin e dorës përmes disa këshillave të thjeshta.
Çfarë do të mësojë fëmija juaj?
Në klasën e parë, zakonisht në moshën 5–6 vjeç, fëmija do të mësojë të:
- ulet në pozicionin e duhur në tavolinë dhe ta mbajë lapsin në mënyrë korrekte dhe të rehatshme;
- fillojë dhe përfundojë shkronjat në vendin e duhur dhe të formojë shkronjat e vogla në drejtimin e duhur;
- formojë shkronjat e mëdha dhe numrat nga 0 deri në 9;
- kuptojë se cilat shkronja bëjnë pjesë në të njëjtat “familje shkrimi”, pra shkronja që formohen në mënyra të ngjashme;
- lërë hapësira të përshtatshme ndërmjet fjalëve.
Si ta ndihmoni fëmijën ta përmirësojë shkrimin e dorës në shtëpi?
Ka disa mënyra se si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të klasës së parë të zhvillojë aftësitë e shkrimit. Ja disa ide.
Praktikoni pozicionin e duhur për të shkruar
Sigurohuni që fëmija të ketë një karrige me mbështetëse të drejtë dhe një tavolinë ose bankë në lartësinë e përshtatshme për të shkruar ose për të bërë detyrat e shkollës.
Nëse fëmija juaj është mëngjarash, inkurajojeni ta mbajë lapsin mjaftueshëm larg majës, në mënyrë që të mund të shohë atë që po shkruan. Mbajtja trekëmbëshe e lapsit (tripod grip) konsiderohet një mënyrë efektive për ta mbajtur lapsin si për fëmijët djathtakë, ashtu edhe për mëngjarashët.
Kontrolloni stilin e shkrimit
Sigurohuni që të dini se çfarë lloj shkrimi po mëson fëmija në shkollë. Në këtë fazë, qëndrueshmëria është shumë e rëndësishme, ndaj shmangni korrigjimin e diçkaje që mund t’ju duket gabim, por që në fakt është pjesë e stilit të shkrimit që fëmija po mëson në shkollë.
Gjeni kohë për të shkruar
Krijoni mundësi që fëmija juaj të praktikojë shkrimin. Për shembull, mund ta ftoni të shkruajë një mesazh në një kartolinë urimi ose të shtojë fjalë dhe etiketa në fotografitë e tij. Mund ta ndihmoni gjithashtu të krijojë një tabelë për dhomën e tij ose një mesazh të dobishëm për ndonjë hapësirë tjetër në shtëpi.
Si ta përmirësojmë shpejtësinë e shkrimit?
Aftësitë e shkrimit të dorës duhet të zhvillohen gjatë viteve të para të shkollimit dhe kanë shumë përfitime. Megjithëse mund të jetë sfiduese, mësimi i fëmijës për të shkruar më shpejt duhet të fillojë me qëndrimin e duhur dhe praktikën e vazhdueshme.
Shkrimi është një proces. Me ushtrime të vazhdueshme, fëmija zhvillon gradualisht aftësinë për të mbledhur idetë dhe për t’i organizuar mendimet e tij. Me kalimin e kohës, ai do të mësojë të vendosë objektiva praktike dhe të arritshme. Njohuritë dhe përvoja e tij do të pasqyrohen në shkrim, së bashku me entuziazmin për të shprehur ide interesante.
Këshilla për të përmirësuar shpejtësinë e shkrimit
Nëse përmirësohen aftësitë e shkrimit, gradualisht do të përmirësohet edhe shpejtësia. Ja disa këshilla:
Mbajeni lapsin në mënyrë të rehatshme
Një mënyrë e përshtatshme për ta mbajtur lapsin është kapja dinamike trekëmbëshe (dynamic tripod grip), e cila mund ta ndihmojë fëmijën të shkruajë më lehtë dhe më shpejt.
Mos e shtrëngoni lapsin shumë
Gjatë shkrimit, kontrolloni që fëmija të mos e shtrëngojë lapsin tepër. Kapja shumë e fortë mund t’ia lodhë shpejt dorën.
Përdorni një metodë të përshtatshme shkrimi
Gjatë shkrimit, fëmija duhet të përdorë në mënyrë të koordinuar muskujt e parakrahut dhe shpatullës, në vend që të mbështetet vetëm te lëvizjet e dorës. Kjo mund të ndihmojë në shmangien e ngadalësimit, ngërçeve dhe lodhjes.
Zgjidhni mjetet e përshtatshme të shkrimit
Mjeti i shkrimit duhet të jetë i përshtatshëm për moshën dhe aftësitë e fëmijës. Trashësia dhe madhësia e majës së lapsit mund të ndikojnë në rehatinë dhe kontrollin gjatë shkrimit.
Vëzhgoni stilin e shkrimit
Shpejtësia e shkrimit mund të përmirësohet edhe duke thjeshtuar mënyrën se si fëmija formon shkronjat. Shkronjat duhet të jenë në madhësi të përshtatshme dhe të formohen në mënyrë të qëndrueshme.
Përfundim
Shkrimi i ngadaltë mund të bëhet pengesë për fëmijën gjatë viteve të shkollimit, pasi provimet, detyrat dhe mbajtja e shënimeve me dorë kërkojnë një sasi të konsiderueshme shkrimi. Kur fëmijët nuk arrijnë të mbajnë ritmin, mund të ndihen të frustruar dhe të humbin interesin për të mësuar.
Për këtë arsye, zhvillimi i shkrimit duhet të fillojë që në vitet e para të shkollës. Shpejtësia vjen gradualisht, pasi fëmija të ketë mësuar të formojë saktë shkronjat dhe të kontrollojë lapsin. Për prindërit është e rëndësishme të krijojnë mundësi të rregullta për ushtrime, pa e kthyer shkrimin në një burim presioni.
Mbi të gjitha, fëmija ka nevojë për kohë, praktikë dhe inkurajim.
Artikull nga: Vedantu.com
Përkthim: Prinderimi.com
