Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.B. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.
Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej marsit të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 në Prizren, në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar – si u.d. i drejtorit të njërës prej shkollave të mesme në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që kontrakton investitor – firmën “E.B.” për servisimin dhe riparimin e kalldasë dhe radiatorëve të shkollës në shumën prej 995 €, firmën N.P. “E.” për gjelbërimin e shkollës me lule dhe fidanë në shumë prej 899.50 €, firmën NTSH “Q.” për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ollukëve të kulmit të shkollës në shumën prej 995.40 € dhe operatorin DPT “I.” për furnizimin e shkollës me material për zyre në shumë prej 980 €, ashtu që ka realizuar pagesat në bazë të procesverbaleve, pa i pranuar shërbimet e operatorëve nga anëtarët e komisionit që figurojnë në procesverbalet, të cilat kanë deklaruar se nënshkrimet nuk janë të atyre dhe nuk i kanë pranuar këto mallra dhe shërbime, që kapin shumën 3.869,90 €, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në Prizren.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së.
Gjithashtu, i njëjti prej 26.07.2021 deri më 15.11.2021, në cilësinë e personit zyrtar – si u.d. i drejtorit i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, ka falsifikuar dokumentet zyrtare, në atë mënyrë që ka përpiluar dhe lëshuar dokumentin në emër të anëtarëve të komisionit të shkollës të cilëve iu ka munguar vendimi se janë anëtarë të komisionit, duke i nënshkruar procesverbalet pa njohurinë e anëtarëve të komisionit dhe atë në emër të: A.B., E.S., E.N., R.M., Sh.M., A.D., A.I. dhe D.B., ku në bazë të këtyre procesverbaleve janë realizuar pagesa për operatorët e lartcekur pa dijeninë, nënshkrimin dhe prezencën e anëtarëve të komisionit, të cilët kanë mohuar pranimin mallrave dhe shërbimeve për nevojat e shkollës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” sipas KPRK-së.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.