Ne të gjithë e dimë që duhet të jemi mirënjohës. E dimë që mirënjohja na bën të ndihemi mirë dhe të vlerësojmë atë që kemi, por praktikimi i rregullt i saj ka një ndikim shumë më të madh sesa vetëm ndjenjat tona. Robert Emmon, me mbi 20 vite kërkime mbi mirënjohjen, ka zbuluar rezultate mahnitëse. Sipas tij, njerëzit që praktikojnë rregullisht mirënjohjen përjetojnë përfitime fizike, psikologjike dhe sociale. Gjithashtu, kur fëmijët mësojnë të jenë mirënjohës, ata kanë më pak mundësi të zhvillojnë ankth dhe depresion në moshën e rritur.
Mirënjohja dhe fëmijët e vegjël
Mirënjohja, ashtu si çdo aftësi tjetër, duhet të mësohet. Edhe pse disa tipa personalitetesh janë më të prirur të shohin anën pozitive të gjërave, të bëhesh i vetëdijshëm për atë që ke dhe të ndihesh mirënjohës kërkon praktikë. Kjo mund të jetë veçanërisht e vështirë për fëmijët e vegjël.
Fëmijët nën moshën 6 vjeç nuk kanë zhvilluar ende “teorinë e mendjes”, që është aftësia për të parë botën nga perspektiva e të tjerëve. Kjo do të thotë që nuk mund të presim që ata të kuptojnë veprimet bujare të të tjerëve ndaj tyre. Por, ne mund t’i ndihmojmë të mësojnë të vlerësojnë gjëra të vogla, si shijen e bukës së thekur ose ngrohtësinë e një përqafimi. Përfitimet e mirënjohjes janë të jashtëzakonshme për të gjitha moshat.
Përfitimet e mirënjohjes:
Fizike:
- Sistemi imunitar përmirësohet, duke sjellë më pak ditë të sëmura dhe hundë të rrjedhura.
- Stresi dhe presioni i gjakut ulen, duke rritur aftësinë për t’u përballur fizikisht me situata stresuese.
- Gjumi përmirësohet, sepse ndjenjat pozitive qetësojnë mendjen dhe trupin, duke bërë që fëmijët të flenë më lehtë dhe më gjatë gjatë natës.
Psikologjike:
- Rrit ndjenjën e lumturisë dhe optimizmit. Kur kërkojmë gjërat pozitive, gjendja jonë shpirtërore përmirësohet dhe ka një efekt zinxhir tek të tjerët përreth nesh.
- Rrit vigjilencën dhe ndërgjegjësimin për atë që ndodh rreth nesh.
- Përmirëson vetëvlerësimin, pasi njohim mbështetjen dhe vlerën që kemi.
- Rrit reziliencën – aftësinë për të përballuar sfidat dhe për të vazhduar përpara edhe kur gjërat nuk shkojnë siç kemi shpresuar.
- Ul ankthin dhe depresionin duke ndihmuar në përmirësimin e mënyrës së të menduarit.
Sociale:
- Bën njerëzit më të ndjeshëm, të dhembshur dhe bujarë, pasi mirënjohja i ndihmon të vlerësojnë të mirat e të tjerëve.
- Rrit faljen ndaj të tjerëve.
- Përmirëson marrëdhëniet dhe miqësitë për shkak të pozitivitetit dhe ndjenjës së vlerësimit.
- Ndihmon që njerëzit të bëhen më të hapur për të provuar gjëra të reja pa frikë nga pasojat.
Si mund t’ua mësojmë fëmijëve mirënjohjen?
1. Ndani mirënjohjen së bashku:
Bëjeni mirënjohjen pjesë të rutinës së përditshme. Çdo natë, për shembull para gjumit ose në tryezën e darkës, ndani diçka për të cilën jeni mirënjohës. Kjo u mëson fëmijëve që edhe në ditë të “këqija” ka gjithmonë diçka për të cilën mund të jemi falënderues.
2. Mbani një ditar ose kavanoz të mirënjohjes:
- Kavanozi i mirënjohjes: Sa herë që ndiheni mirënjohës, shkruani atë ndjenjë në një letër dhe vendoseni në një kavanoz. Lexojini të gjitha në fund të javës ose muajit.
- Ditar i mirënjohjes: Fëmijët më të rritur mund të mbajnë një ditar për të shkruar ato që i bëjnë të ndihen mirënjohës. Ky është një burim i vlefshëm për t’u rikthyer në ditët e vështira.
3. Thoni faleminderit:
Bëjeni falënderimin një praktikë të rregullt. Ndihmojini fëmijët të falënderojnë të tjerët për ndihmën e tyre. Shkruani letra falënderimi ose vizatime për gjyshen, mësuesen ose dikë që ka ndihmuar.
4. Ndihmoni të tjerët:
Kur ndihmojmë të tjerët, mësojmë të vlerësojmë më shumë atë që kemi. Shembuj përfshijnë mbledhjen e parave për bamirësi, dhurimin e ushqimit ose lodrave dhe kryerjen e veprave të vogla të mirësisë. Kjo ndihmon në krijimin e një lidhjeje më të fortë me të tjerët dhe ndjenja pozitive.
5. Praktikoni vetëdijen:
Daljet në natyrë për një “ecje të ndërgjegjshme” janë një mënyrë e shkëlqyer për të praktikuar mirënjohjen. Vëreni gjërat e bukura rreth jush: zërat e natyrës, aromën e ajrit, dritën e diellit.
Burimi: The Therapist Parent
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.