Një nga sfidat më të zakonshme në punën me fëmijë është vetëvlerësimi i dobët. Të gjithë kemi momente kur ndihemi keq me veten, por fëmijët, duke qenë në fazën e formimit të identitetit, janë më të ndjeshëm ndaj këtyre ndjenjave.
Ata po zbulojnë aftësitë e tyre, po krahasojnë veten me të tjerët dhe po kuptojnë vlerën e tyre. Ky proces i zhvillimit të vetëvlerësimit fillon në fëmijëri dhe ndikon në mënyrë të ndjeshme te perceptimi i tyre për veten edhe në moshë të rritur.
Çfarë është vetëvlerësimi?
Vetëvlerësimi nënkupton se sa mirë ndiheni për veten. Nuk do të thotë të pëlqeni çdo gjë për veten, por të pranoni veten si të vlefshëm edhe kur përballeni me dështime. Ai përbëhet nga disa elemente kryesore:
- Vetëbesimi: Besimi në aftësitë tuaja.
- Siguria: Ndjenja e të qenit i mbrojtur dhe i pranuar.
- Identiteti: Të kuptuarit e asaj se kush je.
- Ndjenja e përkatësisë: Ndjesia që i përkisni një grupi apo komuniteti.
- Kompetenca: Ndjenja e aftësisë për të përmbushur detyra apo sfida.
Këto aspekte janë sfiduese për fëmijët, pasi ata ende po mësojnë dhe përjetojnë botën.
Pse është i rëndësishëm vetëvlerësimi?
Fëmijët me vetëvlerësim të mirë kanë më shumë besim për të provuar gjëra të reja dhe nuk kanë frikë të dështojnë. Ata janë krenarë për përpjekjet e tyre, jo vetëm për rezultatet, dhe kjo i motivon të japin më të mirën. Nga ana tjetër, fëmijët me vetëbesim të ulët ndihen të pasigurt, shmangin shoqërimin dhe janë më të ndjeshëm ndaj kritikave. Ata priren të heqin dorë shpejt dhe e lidhin vlerën e tyre me arritjet e jashtme, duke ndikuar negativisht në performancën dhe mirëqenien e tyre.
Si ta ndërtoni vetëvlerësimin e fëmijës suaj?
- Përqendrohuni te përpjekjet, jo te arritjet
Lavdërimi i përpjekjeve është më i dobishëm sesa lavdërimi i rezultateve. Për shembull, thoni: “Vura re se sa shumë u përpoqe për këtë,” në vend të “Je shumë i zgjuar.” Kjo ndihmon fëmijën të kuptojë se përpjekja sjell përparim dhe ndihmon në zhvillimin e një motivimi të brendshëm. - Lejoni që fëmija të bëjë gjëra vetë
Ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë në mënyrë të pavarur duke mos ndërhyrë gjithmonë. Kur fëmijët zgjidhin probleme vetë, ata fitojnë ndjenjën e kompetencës dhe besimit. Për shembull, në vend që t’i tregoni gjithmonë çfarë të bëjnë, pyetini: “Si mendon se mund ta rregullojmë këtë?” - Identifikoni dhe zhvilloni pikat e tyre të forta
Çdo fëmijë ka talente dhe aftësi unike. Ndihmojini të zbulojnë çfarë i apasionon dhe të zhvillojnë këto talente. Kjo mund të jetë përmes aktiviteteve si vizatimi, sportet apo teknologjia. Duke ndërtuar mbi këto pika të forta, fëmijët zhvillojnë një ndjenjë të qartë të identitetit dhe vetëvlerësimit. - Mbështesni miqësitë pozitive
Miqësitë ndihmojnë në forcimin e vetëvlerësimit, sepse fëmijët ndihen të pranuar dhe të vlerësuar nga bashkëmoshatarët. Ndihmoni fëmijën tuaj të kuptojë se cilat marrëdhënie janë të shëndetshme dhe inkurajoni ndërtimin e lidhjeve pozitive.
Si prindër, ju mund të ndihmoni fëmijën tuaj të zhvillojë vetëvlerësim të shëndetshëm duke e udhëhequr që të njohë vlerën e tij si individ dhe duke e mbështetur në ndërtimin e vetëbesimit. Vetëvlerësimi i fortë është themeli për një jetë të shëndetshme emocionale dhe shoqërore.
Burimi: The Therapist Parent
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj