Gjimnazi “Haxhi Zeka” në Istog është kritikuar për vendimin e tij të fundit për të blerë një dollap të ri me vlerë mbi 1500 euro, ndërkohë që disa pjesë të rëndësishme të klasave, siç janë ndriçimi dhe pajisjet themelore, mbeten të pa rinovuara. /Prinderimi.com
Dollapi i vendosur në koridorin e gjimnazit, për të vënë në pah arritjet në garat e ndryshme komunale dhe përtej saj, është parë nga profesorët si i nevojshëm ndërsa nga nxënësit si i thjeshtë dhe shumë i kushtueshëm. Po ashtu, shkolla përballet me mungesa të pajisjeve të tjera të nevojshme, si karrige dhe tavolina të dëmtuara, të cilat kanë ndikuar negativisht në cilësinë e procesit mësimor.
Nga burimet tona na bëjnë të ditur se, ka plot shqetësime lidhur me mungesën e ndriçimit adekuat në disa klasa, duke e bërë procesin mësimor më të vështirë, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Përmirësimi i kushteve bazë në shkolla është një element kyç për arritjen e një cilësie të lartë të arsimit. Nxënësit, që studiojnë në mjedise të papërshtatshme, ku mungon ndriçimi i duhur, banjot funksionale dhe pajisjet themelore, përballen me sfida të përditshme që dëmtojnë përqendrimin dhe motivimin e tyre për të mësuar.
Një shembull i tillë është edhe ky si më poshtë:
Përveç ndriçimit të pamjaftueshëm, gjimnazi “Haxhi Zeka” përballet edhe me probleme të vazhdueshme në tualet, të cilat shpesh janë jashtë funksionit, me mungesë të dyerve, ujit, pasqyreve apo pastruesve për banjo. Komuniteti i shkollës kërkon që të merren masa për të adresuar këto mangësi themelore përpara investimeve të tjera.
Kjo situatë ka shkaktuar reagime nga komuniteti dhe prindërit, të cilët kërkojnë që investimet në shkolla të fokusohen më shumë në përmirësimin e kushteve bazë për arsim cilësor.
© Prinderimi.com Të gjitha të drejtat e rezervuara.