Njësia familjare vihet menjëherë nën presion me ardhjen e fëmijëve. Të qenit prind, ndonëse një dhuratë e madhe, nuk është gjithmonë një përvojë emocionuese, siç mund të mendohet ndonjëherë. Kur bëhen prindër, çiftet duhet ta kuptojnë se jeta nuk do të jetë më kurrë e njëjtë dhe të përgatiten për sfidat që i presin.
Prindërit duhet të sakrifikojnë disa nga interesat e tyre për të mirën e foshnjës, dhe aftësia për të qenë një baba ose një nënë do të vihet në provë. Nuk do të jetë e lehtë, sidomos për nënat, të përballen me lodhjen e vazhdueshme që vjen nga kujdesi i pandërprerë për foshnjën. Baballarët, kur kthehen në shtëpi, mund të mos gjejnë një grua të lumtur, një fëmijë të qetë, apo një shtëpi të pastër, dhe shpesh ata do t’i shohin bashkëshortet e tyre të lodhura nga puna, të pakënaqura dhe të paafta për t’u kujdesur për ta si më parë.
Amësia përfshin lodhje mendore, fizike dhe emocionale. Mungesa e gjumit dhe kujdesi i vazhdueshëm për foshnjën mund të shkaktojnë tension edhe në marrëdhëniet më të forta, dhe përfundimisht mund të ndikojë negativisht në martesë. Çështjet financiare gjithashtu bëhen më të dukshme, pasi çiftet përballen me përgjegjësitë e shtëpisë dhe punës, ndërsa kujdesen për fëmijën. Kjo mund të ketë ndikim të fortë në jetën martesore, veçanërisht për prindërit që punojnë me orar të plotë.
Disa prindër përpiqen të shmangin shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe punojnë me turne të ndryshëm që njëri prind të jetë gjithmonë në shtëpi. Ndërsa kjo është e mirë për fëmijën, nuk është ideale për marrëdhënien mes burrit dhe gruas, të cilët mund të ndihen si dy anije që kalojnë pranë njëra-tjetrës në errësirë. Kjo mund të përkeqësojë marrëdhënien shpejt. Mosmarrëveshjet e vogla për ndarjen e detyrave shtëpiake mund të bëhen burim konflikti të vazhdueshëm.
Presionet e tilla vendosin në provë martesën, sidomos nëse koha e kufizuar e çiftit për t’u bashkuar kthehet në sesione ankese në vend të momenteve të afërsisë. Konflikti martesore mes prindërve ka ndikim negativ mbi fëmijët. Mungesa e komunikimit shpesh çon në keqkuptim dhe konflikte të pazgjidhshme.
Fëmijët nuk duhet të trajtohen si “të rritur të vegjël” nga të cilët pritet sjellje e pjekur gjatë gjithë kohës. Po ashtu, është gabim të shihen si të bezdisshëm; ata kanë nevoja të rëndësishme fizike, emocionale dhe zhvillimore, të cilat duhen plotësuar.
”Lërini familjet të kujdesen për familjet dhe shoqëria do të kujdeset për veten. ”– Konfuci
Autor: H. Altalib, O. Altalib dhe A. Ebusulejman, 2022
Udhëzues për rritjen e fëmijëve: Marrëdhëniet prind-fëmijë
Prinderimi.com