Me rritjen e temperaturave është rritur dhe numri i vizitave tek kardiologu. Temperaturat e larta ndikojnë më tepër tek grupmoshat e treta, të cilëve ju shfaqen probleme me zemrën. Kardiologu, Ilir Bajraktari thotë se duhet pasur me tepër kujdes për shëndetin gjatë sezonit veror.
Ditëve të fundit në vend po mbretërojnë temperatura tejet të larta. Vazhdimisht po bëhet thirrje që të bëhet kujdes e të shmanget ekspozimi në diell, sidomos për personat me probleme shëndetësore.
Kardiologu, Ilir Bajraktari nga Spitali i Mitrovicës në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka treguar ndikimin e temperaturave të larta te sëmundjet e zemrës dhe kujdesin ndaj ushqimit të konsumuar gjatë kohës së verës.
Kardiologu, Ilir Bajraktari ka bërë të ditur se organet që duhet të punojnë më shumë për ta parandaluar tejnxehjen e organizmit janë: zemra, mushkëritë dhe veshkët.
Teksa ka shtuar se kur zemra rrah më shpejt ajo qarkullon dy herë më shumë gjak në minutë sesa në një ditë normale pra e ngarkon sistemin kardiovaskular dhe bën që zemra të punojë më shumë, e kjo e rrit mundësinë e sulmeve në zemër, në tru, krizave hipertenzive dhe dështimin akut të saj.
“Moti ekstrem i nxehtë, temperaturat e larta dhe lagështia e ajrit e ulët nën që organizmi i njeriut të punojë më shumë për të ruajtur dhe mbajtur temperaturën e tij bazë në nivele normale. Kjo e ngarkon zemrën, mushkëritë dhe veshkët edhe më shumë. Zemra rrah më shpejtë ndërsa qarkullon dy herë më shumë gjak në minutë sesa në një ditë normale pra e ngarkon sistemin kardiovaskular dhe e bën zemrën të punojë më shumë. Kjo mund të rrisë mundësinë e sulmeve në zemër, sulmeve ne tru, aritmive të zemrës (rrahje të parregullta të zemrës), krizave hipertenzive, dhe dështimin (pamjaftueshmerine) akut të zemrës. Kjo do të thotë që mund të jeni në rrezik edhe më të madh nëse veq keni një sëmundje të zemrës”, deklaroi Bajraktari.
Kush janë personat më të rrezikuar nga temperaturat e larta?
Bajraktari ka përmendur se personat më të rrezikuar nga temperaturat e larta janë personat që kanë probleme me sëmundje kardiovaskulare, diabetikët, gratë shtatëzëna, personat e moshuar etj .
“Më të rrezikuarit janë personat e moshuar mbi 65 vjeç, obezët, gratë shtatzëna, personat që kanë probleme me diabet, pacientët me hipertension, si dhe teë gjitha ata që tashmë kanë sëmundje kardiovaskulare, mirëpo edhe te rinjët që kanë punë të rënda nën ndikim të vapes, sidomos ata që punojnë në ambientet e jashtme qoftë sektori i ndërtimtarisë, punëtorët e sigurimit, sportistët, personat e pastrehë dhe shumë e shumë kategori të tjera që i ekspozohen vazhdimisht vapës së lartë”, deklaroi Bajraktari.
Disa nga këshillat që kardiologu, Bajraktari iu referohet qytetarëve janë që të monitorohet vazhdimisht shtypja e gjakut, freskimi dhe hidratimi i vazhdueshëm, qëndrimi në vende të freskëta ose në hije, dieta e shëndetshme, konsumim sa më i madh i ujit dhe lëngjeve, marrja e terapisë me kohë dhe konsulta të rregullta me mjekun.
“Pra, është shumë e rëndësishme:
- Të monitoroni shtypjen e gjakut
- Të freskoheni dhe të hidratoheni vazhdimisht,
- Të qëndroni në vende të freskëta, me hije,
- Të shmangni vapën e mesditës,
- Të keni një dietë të shëndetshme,
- Të pini sa më shumë ujë dhe lëngje,
- Të aplikoni krem kundër diellit
- Të bartni kapelë kur jeni jashtë,
- Të jeni të rregulltë në marrjen e terapisë si dhe
- Të keni konsulta te rregullta me mjekun tuaj”, deklaroi Bajraktari.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që pesonat e moshuar, të mos ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, të konsumohet deri në dy litra lëngje gjatë ditës si dhe mbrojtja nga ekspozimi i diellit përmes kapeleve ose masave tjera.