”Ndoshta ka ardhur koha që formimi i mësuesve të përqendrohet në disa institucione të arsimit të lartë nën mbikëqyrjen e fortë të shtetit. Është e mira publike më e rëndësishme me ndikimin më të madh në shoqëri…”-reflektime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku.
“Sipas një raporti të PISA-s, për të menduarin në mënyrë krijuese, Shqipëria ka arritjet më të ulëta ndër vendet pjesëmarrëse në këtë vlerësim, vetëm 13 pikë ndaj 41 pikëve të Singaporit.”
Në kuptimin teorik mendimi krijues është ajo çka bëni, analizoni, interpretoni, vlerësoni dhe gjykoni rreth asaj që keni lexuar, dëgjuar, thënë ose shkruar. Fjala krijues vjen nga greqishtja“kritikos-meaning “, që nënkupton të jesh në gjendje të gjykosh ose të dallosh.
Shpesh i përdorim aftësitë e të menduarit kritik pa e kuptuar fare, në situata nga më të thjeshtat deri tek ato më të ndërlikuarat. Kur marrim një vendim, si për shembull se cili është ushqimi i përshtatshëm në ditët e nxehta. Në këtë rast përdorim mendimin krijues për të përcaktuar zgjedhjen më të mirë për atë ditë.
Pra mendimi krijues (kritik) nuk është asgjë më shumë se aftësia për të interpretuar, vlerësuar dhe analizuar faktet dhe informacionet në dispozicion, për të formuar një gjykim ose për të vendosur nëse diçka është e drejtë ose e gabuar.
Të ndërtosh aftësitë e të menduarit kritik nuk do të thotë vetëm të jesh në gjendje të mbrosh idetë dhe opinionet, por edhe t’i paraqesësh ato në mënyrë logjike dhe të marrësh vendimet më të mira.
Aftësitë e të menduarit kritik mund t’i zhvillojmë çdo ditë nëse i trajtojmë problemet në një mënyrë logjike, mbështetur tek kureshtja, pra tek të pyeturit, tek të dëgjuarit aktiv e për të kuptuar dhe tek përgjigjja rreth situatave konkrete. Vetëm kështu mund të zhvillojmë logjikën dhe arsyetimin. Provat tregojnë se aftësitë bazë të të menduarit kritik mund të mësohen me sukses tek fëmijët, që në moshë të hershme, pra në arsimin parashkollor e në shkollë. Që ky proces të ketë rezultatet e favorshme duhet që në procesin mësimor të krijohet mundësia fizike dhe mendësia e duhur e mësimdhënësve për të përdoren metoda të tilla si;
Hulumtimi i detajeve dhe fakteve të cilat lejojnë të kuptohet saktësisht brendia e materialit apo e subjektit, dhe kjo do të bëhet mirë duke folur dhe duke i mësuar nxënësit si e se çfarë pyetjesh të bëjnë për të fituar sa më shumë njohuri.
Strategjitë e përshtatshme të mësuesve për të formuar individë mendjehapur si pjesë në një aktivitet, në një grup si akt vendimtar për të patur sukses. Hedhja poshtë e ideve të dikujt tjetër para se t’i kenë dëgjuar ato, do të pengojë gjetjen e zgjidhjes, dhe shpesh do të krijojnë mjedis të ashtuquajtur acid ose armiqësi. Nëse me të vërtetë kërkohet të zgjidhet një problem, duhet të jemi të gatshëm të dëgjojmë opinionet dhe idetë e të tjerëve, nëse dëshirojmë që ata të dëgjojnë tënden.
Të edukojmë nxënësit të prirur drejt analizës do të çojë në një kuptueshmëri më të mirë të gjërave që janë dëgjuar dhe lexuar. Si një kritik i vërtetë, nxënësi do të dëshirojë të kërkoj të vërtetën dhe të arrij në thelbin e çështjeve duke arritur tek zgjidhja e dëshiruar.
E gjithë sa më sipër ka si qëllim zgjidhjen e problemeve që është ndoshta aftësia më e rëndësishme e lidhur me të menduarin krijues. Aftësia për të zgjidhur çështjet është ajo që ndihmon për të pasur sukses, duke i dhënë mundësi shkollës të krijojë një individ të ri të aftë të veprojë në situata konkrete duke marrë vendimin e drejtë.
Një mënyrë për të zgjidhur siç duhet problemet që ka sot shkolla shqiptare është së pari të pranojmë se ka një problem që ka nevojë për zgjidhje. Duke përcaktuar problemin mund ta analizojmë atë dhe të gjejmë disa zgjidhje potenciale dhe të përshtatshme për realitetin shqiptar. Më poshtë po listoj disa aspekte që personalisht mendoj se kanë ndikuar në rezultatin e arritur nga 15-vjeçarët tanë.
***
Mungesë e metodologjisë që formon të menduarit kritik në institucionet e arsimit të lartë që formojnë mësuesit e arsimit parauniversitar. Personalisht mendoj se ka një thyerje dhe kemi dy blloqe të shkëputura nga njëri-tjetri që veprojnë pa kohezion. Ndoshta ka ardhur koha që formimi i mësuesve të përqendrohet në disa institucione të arsimit të lartë nën mbikëqyrjen e fortë të shtetit. Është e mira publike më e rëndësishme me ndikimin më të madh në shoqëri.
Trajnim pa plan në kaos të vërtete ku secili merre atë që mendon pa u lidhur me nevojat e institucionit arsimor apo me rezultatet që kanë arritur nga nxënësit. Në shumë raste janë pa fokus si dhe shumë larg realitetit që kërkon sot shkolla jonë.
Laboratorët fizik edhe aty kur ekzistojnë nuk janë të pajisur mirë dhe pak përshtaten me kurrikulën e miratuar, me pak fjalë nuk janë në sinkron. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për teknologjinë e informacionit për të cilën investimet janë të shumta, por që pak përdoren nga mësuesit, për shumë arsye.
Tekstet mësimore lënë për të dëshiruar edhe pse një pjesë e tyre janë importuar në disa raste ngjajnë si të përkthyer me “google translate”, pa u përshtatur me realitetin shqiptar.
Mësuesit janë të mbingarkuar me shumë detyra që i detyrojnë të largojnë fokusin e tyre nga mësimdhënia dhe nxënësit.
Projekte të shumta miratohen dhe kërkohen të zbatohen në shkolla ku secili sheh interesin e vet dhe në shumicën e rasteve nuk ndërlidhen me qëllimin e shkollës, e shpesh janë jashtë kontekstit.
Mësimi në klasa kolektive në shumë zona dhe me një numër të madh nxënësish në zonat me popullsi të përqendruar janë një tjetër arsye që kanë ndikuar në këtë rezultat.
Në fund jo për justifikim por pandemia ka lënë gjurmën e vet negative në këtë proces, vërtetë që në atë kohë u mbajt sistemi në këmbë dhe nxënësit nuk u shkëputën nga shkolla, por më pas në rikthim, vetëm dy javë u vendosën në dispozicion të plotësimit të nevojave.
Këta faktor,por edhe të tjerë që mund të kenë pasur ndikim duhet një trajtim gjithëpërfshirës duke i marrë në analizë të thelluar e për të gjetur zgjidhjet e duhura, mbështetur në mendimin krijues të politik bërësve dhe ekspertëve të arsimit.
“Bota po ndryshon shumë shpejt. E madhja nuk do t’i mundë të voglat më. Do të jetë e shpejta ajo që do të mundë të ngadaltën”- Rupert Murdoch.