Mes ndjenjave të lumturisë, emocionit, telashit, dyshimit dhe përgjegjësisë që kanë kur marrin në prehër për herë të nëpër mendje e prindërve kalon kjo pyetje:
Si është në thelbin e tij fëmija që mbaj në prehër?
Le të përpiqemi ta njohim më shumë këtë krijesë të vogël që mbani në prehër. Një potencial i mrekullueshëm që duhet marrë parasysh.
Pyetjet e pafajshme të fëmijëve janë burimi i filozofisë, shkencës dhe artit.
Ai që mbani në prehër është potenciali i mrekullueshëm i një njeriu. Le t’i hedhim një sy këtij potenciali. Në sistemin nervor ka 124 miliardë neurone (qeliza nervore). Me kalimin e kohës, paralelisht me eksperiencat e personit, këto neurone zhvillojnë lidhje me ato që quajmë sinapse. Sinapset janë vendet ku formohet kujtesa dhe mësimi. Në sistemin nervor të njeriut llogaritet se gjenden triliona sinapse (dhjeta në fuqi të njëzet e katërt). Nëse do të shprehemi me terminologjinë kompjuterike numri i neuroneve dhe sinapseve mund të përkufizohet si (hardware). Kjo do të thotë se fëmija kur lind është i pajisur me një potencial kujtese pa kufi. Fëmija nuk vjen vetëm i pajisur me këto, por që nga lindja ai është i programuar, pra ka edhe (software). Le t’i hedhim një sy:
Çdo fëmijë lind me instinktin e kureshtjes; ai e ka të pamundur të mos jetë kureshtar. Një komandë themelore që ai e sjell që nga lindja i thotë: “Do të shqetësohesh nga papërcaktueshmëria, e do të bësh të pamundurën për ta bërë atë të kuptimshme”.
Fëmija ndien detyrimin për të futur në një marrëdhënie gjërat që mëson me kureshtje. Programi që ai ka nga lindja i thotë: “ndërto një marrëdhënie mes gjërave që mëson”.
Sa më shumë rritet numri i eksperiencave të jetës dhe gjërave që ndërtojnë marrëdhënie, aq më shumë programimi i brendshëm i thotë: “Ndërto marrëdhënie të nivelit të lartë, zhvillo sisteme përfshirëse tërësore”. Në këtë mënyrë me kalimin e kohës ai ndërton njësi njohëse jo vetëm “në shtëpi”, por edhe në “lagje, komunë, qytet, krahinë”. Fëmija sa më shumë mëson, kupton, gjykon e fillon të ndërtojë sisteme më të mëdha, aq më shumë fillon të kërkojë eksperienca të reja të jetës që përpiqet t’i përballojë. Pasi percepton dhe kupton një fushë të caktuar në jetë, ai fillon të hetojë mbi një fushë tjetër të pa eksploruar derisa ta çojë atë në një zgjidhje duke e zhvilluar në sistem.
Filozofi i famshëm Thomas Hobbes ka bërë një vëzhgim të tillë: “Kërkimi i shkaqeve për gjërat që sheh është në natyrën e njeriut. Disa kërkojnë më shumë e disa më pak, por të gjithë janë aq kureshtarë sa të hetojnë shkaqet e fatit të mirë apo të keq.” Disa familje, disa shoqëri i japin vlerë anës kërkuese të fëmijës, e kërkojnë t’ia zhvillojnë këtë cilësi, ndërsa disa familje dhe shoqëri kanë frikë nga zhvillimi në këtë drejtim dhe përpiqen t’i pengojnë. Këto dy qëndrime të ndryshme formojnë shoqëri të ndryshme.
Albert Einstein ka thënë: “E rëndësishme është të heqësh dorë nga hulumtimi”. Nëse fëmija rritet në një ambient që ka respekt për lirinë e mendjes, nuk heq dorë nga kërkimi; ai vazhdon të pyesë e të ngacmojë problemet. Për më tepër, pasi pyet e heton, fillon të ndiejë kënaqësi nga ky lloj studimi. Zbulimi i gjërave të reja është kënaqësia më e madhe e një fëmije.
Çdo fëmijë që lind i programuar dhe i pajisur, siç e përmenda më lart, është një kandidat potencial për filozof, artist, shkencëtar. Evidentimi i programimit dhe zhvillimit është shumë i rëndësishëm për fëmijën.
A është e rëndësishme për ju të shikoni se fëmija që mbani në prehër ka potencial të tillë? Nëse është e rëndësishme, fëmija juaj zhvillohet si një bimë e lirë që dashuron tokën dhe klimën.
Po ecja në rrugën Zeytinoglu në Aktalar. Përpara meje ishte një gjyshe që mbante për dore mbesën e saj dy vjeç e gjysmë. Dukej që gjyshja e kishte me nxitim; ajo ishte e përqendruar te hapat e shpejtë që hidhte për të arritur sa më parë në vendin e duhur. Ndërsa fëmija kishte interes për gjithçka që shihte përreth.
Aty pranë kaloi një motoçikletë me shumë zhurmë; fëmija ndaloi derisa motoçikleta u zhduk. Diku më tej vuri re një qen që ishte shtrirë mbi bar; tha diçka me vete dhe e përsëriti duke parë nga gjyshja. Gjyshja e tërhiqte pa ditur ç’po shihte mbesa. Hodhën disa hapa, një sorrë fluturoi dhe u ul në një pemë. Fëmija pa sorrën, pa pemën më pas u kthye nga gjyshja dhe i tha diçka. Gjyshja as që e kishte idenë për botën e fëmijës; dëshira e saj e vetme ishte të vazhdonin të ecnin.
Të rriturit janë njerëzit që dinë, ndërsa të vegjlit ata që mësojnë. Ambienti që u jep mundësinë fëmijëve të zbulojnë botën është ambienti më i shëndetshëm për zhvillimin e tyre.
Një njeri i vogël që duhet pranuar pa e tjetërsuar dhe pa e gjykuar.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com.
Autor: Doan Xh., “Prind kreativ” (Udhëzues ideal për një prind kreativ)