Si duhet të jetë qasja jonë ndaj zgjedhjeve të fëmijëve? Lënia në dorë atyre e të gjitha zgjedhjeve, mund të krijonte probleme. Për shembull, kur një fëmije që sapo ka filluar shkollën dhe nuk është mësuar ende me të, i jepni mundësinë e zgjedhjes “dëshiron të shkosh në shkollë, apo të luash”, ai mund të zgjedhë të luajë gjithë ditën. Nëse i lini fëmijës tuaj zgjedhjen e ushqimit, ai mund të kërkojë çdo ditë makarona. Zgjedhjet që ai bën për veten, mund të na çojnë ne në çmenduri; ai mund të mos ngrihet gjithë ditën nga televizori, mund të rrijë i zgjuar deri në mesnatë e të mos dijë të zgjohet në mëngjes…
Atëherë si do të jetë e mundur që edhe t’u japim fëmijëve të drejtën e zgjedhjes edhe t’i pengojmë të bëjnë zgjedhje të pashëndetshme?
Fillimisht, duhet t’u japim një fushe lirie në përputhje me moshën si dhe t’i njohim lirinë e të bërit zgjedhje brenda kësaj fushe. Gjëja për të cilën duhet bërë shumë kujdes në këtë pikë është që kjo fushë specifike të jetë në përputhje me moshën e fëmijës. Çfarëdo zgjedhje të bëjë fëmija, nuk do të ketë asnjë pasojë nëse kjo fushë veprimi është e zgjedhur me kujdes.
Për shembull, fëmija mund të bëjë zgjedhjen e tij mes zgjedhjeve që i ofrojmë ne. Ai mund të bëjë zgjedhjen e tij mes ushqimeve që ne i japim duke menduar se janë të ushqyeshme për të. Edhe nëse buxheti i familjes është i kufizuar, ushqimi mund të përgatitet pas zgjedhjes së bërë nga fëmija. E njëjta logjikë mund të përdoret edhe në zgjedhjen e lodrave. Ai mund të zgjedhë veshjen e tij mes atyre që i japim ne. Ai mund të bëjë zgjedhjen e tij mes programeve që zgjedhim ne të shohë në televizor.
Meqenëse ai nuk arrin të kuptojë se ç’rezultate do të sjellë në të ardhmen vajtja në shkollë, nuk mund të mendohet që ne t’i njohim të drejtën e zgjedhjes për të shkuar. Ne nuk mund t’i lemë fëmijës zgjedhjen për orarin e gjumit; është e drejtë që kjo të përcaktohet nga ne në përputhje me moshën e tij. Liria e zgjedhjes tonë mund të jetë penguar në fëmijëri; e me shumë mundësi kështu ndodh. Por sot nuk ka asnjë pengesë në lirinë tonë të zgjedhjes. Ne e kemi vetë në dorë ta tejkalojmë këtë, megjithëse rreth nesh mund të ketë të afërm që ende bëjnë zgjedhje për ne.
Përdorimin e lirisë së zgjedhjes, e pengon mendimi se nuk mund të bëjmë zgjedhje të sakta. Ashtu si çdo gjë tjetër që nuk zhvillohet nëse nuk përdoret, ashtu ndodh edhe me lirinë e zgjedhjes; për të mos gabuar në zgjedhjet tona, mund të na duket mendim me vend të pyesim njerëzit që besojmë se bëjnë zgjedhjet e duhura.
Por në këto raste kostoja që paguajmë është e madhe. Çdo zgjedhje që lejojmë ta bëjnë të tjerët, është pohimi i paaftësisë tonë.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”