Çka ki qef me bo kur t’rritesh?
Cila ngjyrë t’pëlqen ma shumë?
A ma shumë të intereson arti apo shkenca?
Cili është profesoni yt?
Çka bon ti?
Me çka mirresh?
Çka bon n’kohë t’lirë?
Cili është hobi yt?
Nëse këto pytjeve të kanë shti edhe vazhdojnë me të shti m’u ndi jo rehat për shkak se përgjigjet e tua nuk janë kongruente me narrativen e krijuar prej tyre, me fjalë tjera, ndihesh se këto pyetje e limitojnë dhe nuk e lehtësojnë shprehjen e plotë të asaj se çka je ti, atëherë ti mundesh m’u klasifiku sikur një ‘multipotencial’.
Çka është një ‘multipotencial’?
Multipotencialiteti, është një term i cili vjen nga gjuha angleze, dhe përdoret në fushën e psikologjisë dhe edukimit për të përshkruar persona interesat e t’cilëve prekin fusha të ndryshme dhe të shumëta. Me fjalë tjera, interesat e këtyre personave nuk limitohen apo fokusohen vetem në një fushë, mirëpo ato gravitojnë rreth disa disiplinave të ndryshme, shpesh duke shfaqë afinitet në shkencë apo art, apo në fusha të ndryshme të cilat në shikim të parë na duken të ndara nga njëra-tjetra.
Realisht, një person i cili konsiderohet sikur ‘multippotencial’ apo i/e cila ka multipotencialitet – pra, potencial të shumtë për të pasë sukses dhe kurreshtje në fusha të ndryshme – nuk e përcepton ndasinë në mes fushave të studimit, ashtu siç është bërë standard në sistemin e shoqërisë sonë që një kohë. Për dallim, këta persona e shohin se, në fakt, çdo fushë është e lidhur me njera-tjetrën, dhe interesi apo pasioni në një fushë, shpesh reflektohet dhe e ushqen një fushë tjetër.
Këta persona shpesh ndihen që nuk janë të lindur për ta bërë një punë, për ta pasur një karrierë apo profesion të caktuar. Kurioziteti i tyre i motivon që automatikisht të thithin çdo informatë e cila iu prezentohet, dhe në menyrë kreative ata krijojnë lidhje në mes koncepteve, ideve dhe fushave të ndryshme. Për këtë arsye, këta persona shpesh janë inovatorë të suksesshëm, kanë shkathtësi në mendim kreativ dhe kanë aftësi të hatashme për zgjidhje të problemeve.
Ne kohën e renesancës – kohë para se të krijohej ndasia në mes fushave te studimit – çdo person është konsideruar sikur një multipotencial, apo me fjalë tjera nuk ka ekzistuar ndasia e theksuar e profesioneve siç është karakteristike sot. Sot, termi që e përdorim për t’i përshkruar individët e renesancës, s’bashku me talentet dhe pasionet e tyre të shumta, është fjala e vjetër greke, polymath, ku poly do t’thotë shumë dhe math do t’thotë mësim. Një prej polymaths më të fashmëm të asaj kohe është Leonardo Da Vinci i cili, nëpërmes mendimit të tij trans-disiplinar, ka krijuar projekte të rëndësishme artistike dhe shkencore të cilat e kanë definuar zhvillimin e periudhave historike në vazhdim.
Termi ‘polymaths’ apo ‘multipotencial’ vjen me filozofinë që një person është i aftë të realizojë çdo gjë, krejt çka duhet është ekspozimi në kushte të cilat e facilitojnë shprehjen dhe zhvillimin e atyre aftësive. Pra, në vend se të përcaktohemi dhe definohemi, kjo pikëpamje na motivon që të mos e ndalim kuriozitetin tonë, dhe të mos e përceptojmë botën në bazë të asaj se çka kemi studiuar apo se çka punojmë. Në momentin që ne definohemi, ne e ndalim zhvillimin tonë, i cili sipas kësaj pikëpamjeje, është diçka që duhet të jetë vazhdimisht në lëvizje në mënyrë që të aktualizohemi plotësisht. Oscar Wilde thot që nëse ju e dini se çka keni dëshirë të bëheni, atëher ndëshkimi juaj është se në fakt, ju do të bëheni ajo se çka dëshironi. Mirëpo, nëse ju nuk e dini dhe nuk definoheni, atëherë ju mund të jeni çkado dhe gjithçka. Ju nuk jeni emri i profesinoit tuaj – shkrimtar, psikolog, mjek, artist. Ju jeni një person i cili bën gjëra: shkruan, lexon, shëron, krijon. Definimi i personalitetit tonë me profesionin të cilin e praktikojmë e limiton shprehjen dhe aktualizimin e potencialit tonë njerëzor dhe në vend se ta zhvillojmë atë potencial, ne vetëm e reduktojmë atë nëse përcaktohemi ngushtë me tituj dhe emërtime profesionale. Psikologu humanist, Karl Rogers thotë se secili individ lindë me aftësi të plotë ta realizojë potencialin e tij apo saj. Mirëpo, çka e ndikon shumë shancën e aktualizimit të këtij potenciali është pranimi i pa kusht, pa gjykim, me empati dhe mbështetje të plotë për atë se çka ai person është, dhe jo se çka familja apo shoqëria dëshirojnë ai person të jetë. Në momentin që personat e afërt na pranojnë neve për krejt atë se çka jemi dhe se çka kemi dëshirë të jemi, atëherë jeta dhe imazhi që ne e krijojmë për vete lidhet ngushtë me jetën që kemi dëshirë ta kemi në të ardhmen. Në anën tjetër, nëse versioni aktual i vetes sonë nuk ka aspak, ose ka shumë pak, ngjashmëri apo përputhje me versionin ideal të vetes tonë (sepse në menyrë që të ndihemi të pranuar ne është dashtë ta adaptojmë versionin tonë me atë se çka rrethi jonë na sheh neve), atëherë potenciali jonë ka më pak shancë të realizohet. Kur dikush na ofron neve dhe ne i ofrojmë dikujt tjeter “unconditional positive regard” apo vlerësimin dhe pranimin të pa kusht të asaj se çka jemi ne, atëherë ne rritemi dhe e realizojmë potencialin të cilin e kemi.
Shoqëria sot karakterizohet me një tendencë të fuqishme drejt specializimit të individëve. Andaj, nëse një person ka multipotencialitet dhe interesa të ndryshme që gërshetohen në mënyra të veçanta, të cilat nuk i shohim shpesh në shoqëri dhe kulturë sot, për shkak se funksionimi i shumë institucioneve shoqërore dhe politike lidhet ngushtë me specializimin e profesioneve, atëherë ai person në mënyrë që të ndihet i pranuar nga shoqëria apo të ndihet pjesë e kulturës ku jeton, e adapton versionin e vetëvetes që të zgjedhë një profesion, të përcakohet apo definohet me një fushë. Pra, struktura e shoqërisë nuk e ofron “the unconditional positive regard” apo pranimin e plotë dhe pa kusht të individëve për atë se çka janë ata, dhe jo për atë se çka ata duhet të jenë, dhe si rezultat shohim plot persona që e krijojnë ndasinë në mes profesionit dhe pasionit, kur në fakt, ato kanë mundësi të jenë e njejta gjë.
Shpesh, pytja “Çka ki qef me u bo kur t’rritesh?” i mëson fëmijët me kriju një lidhje shumë të ngushtë në mes profesionit dhe personalitetit. Apo se në të ardhmen ajo se çka ki me punu, është ajo se çka, pak a shumë, ki me qenë. Natyrisht, për persona me multipotencialitet, kjo pytje u rikujton që në mënyrë që me qenë pjesë e shoqërisë, ata duhet të amputojnë plot interesa, pasione e anë të personalitetit të tyre, në mënyrë që të funksionojnë. Andaj, në mënyrë që t’i pranojmë të gjithë ashtu siç janë dhe ta maksimalizojmë aktualizimin e potencialit të personave rreth nesh, në vend se t’i pyesim “Çka ki qef me u bo kur t’rritesh?”, të tentojmë e ta zëvendësojmë pyetjen me “Kush ki qef me u bo kur t’rritesh?”.
Natyrisht, tendenca e theksuar për specializim ka ardhë si një përgjigie ndaj zhvillimeve të ndyshme historike, më saktësisht me nisjen e revolucionit industrial, ku trajnimi, edukimi dhe aftësimi i punëtoreve për vende të caktuara të punës ka qenë i nevojshëm. Si rezultat, edhe kurrikulat shkollore i janë adaptuar nevojës shoqërore dhe disiplinat jane ndarë njëra nga tjera në mënyre që nxënesit të aftësohen në njëren nga ato fusha, që në të ardhmen ta zhvillojnë atë fushë edhe më tutje.
Mirëpo, sot, perveç që na duhet avancimi i mëtutjeshem i disiplinave të ndryshme, është e rëndësishme që gjithë atë dije qe e kemi akumuluar sikur njerëzim ndër vite, të mësojmë e ta ndërlidhim, dhe nëpërmes kësaj ndërlidhje të gjejmë zgjidhje, ide kreative dhe inovative për problemet të cilat e karakterizojnë njerëzimin sot. Njëkohësisht, vetë procesi i ndërlidhjes na mëson se si të mendojmë, e jo vetem se çka të mendojmë, andaj perveç tjerash, është një ushtrim kognitiv të cilin duhet ta praktijomë në mënyrë që të ballafaqohemi me realitetin e njerëzimit sot. Akumulimi i dijes nuk do të thotë asgjë pa ndërlidhjen e dijes dhe koncepteve në mes vete.
Autore: Likana Cana