“Njohuria nuk mjafton e vetme, duhet ta shoqërojë zbatimi… Edhe gatishmëria, e vetme, nuk mjafton… duhet punuar.” – Gëte
Kur fillova të zbatoja detyrat e mia si drejtor i përgjithshëm në një hotel të madh, në Montreal, në Kanada, gjithmonë isha në kërkim të çdo risie në fushën e zhvillimit personal dhe të sjelljes njerëzore. Një ditë, presidenti i kompanisë më dërgoi një reklamë që bëhej për një shkencë të re, e cila quhej NLP “Programimi neurolinguistik” dhe më sugjeroi të merrja pjesë në një punishte treditore në Nju Jork. Pranova pa asnjë hezitim. Isha shumë entuziast, sepse do të futesha për ta njohur këtë shkencë të re. Shkova në punishte dhe ditën e parë e kalova pa kuptuar asgjë.
U ndjeva i zhgënjyer. Isha gati duke u kthyer menjëherë në Montreal, por para se të më mposhte pesimizmi, vendosa t’i jap vetes edhe një mundësi tjetër, prandaj shkova edhe ditën e dytë. Ligjërata e parë atë ditë ishte shumë e fortë. Në më pak se tridhjetë minuta, ligjëruesi arriti të më ndihmonte ta ndryshoja bindjen time negative që më shoqëronte prej disa vitesh, prandaj vendosa ta vazhdoja punishten. Në fakt, përfitova vërtet shumë, dhe ky aktivitet ma ndryshoi plotësisht jetën time, për mirë. Vendosa të merrja çfarëdo njohuri të mundshme në këtë shkencë, me qëllim që të ndihmoja veten, por edhe të tjerët gjithashtu.
Pas gjashtë muajsh, mora certifikatën e ciklit të parë parapërgatitor, pas kësaj mora certifikatën si praktikues, pastaj si mësues praktikues, pastaj u bëra trajnues i certifikuar, pasi praktika ime përmbante tashmë rreth dhjetë vjet punë dhe trajnim. Pas gjashtë muajsh pasi isha certifikuar, takova një kolege në Montreal, e cila kishte mbaruar edhe ajo njëlloj si unë, në të njëjtën kohë me mua, dhe e pyeta për gjendjen e saj dhe se çfarë kishte përfituar nga certifikata trajnuese që kishte marrë… Ajo më tha: “Kalova një periudhë ndryshimesh të shumta në jetën time, prandaj kalova në depr- esion dhe akoma nuk e kam vendosur se çfarë do të bëj me këtë diplomë.”
Le të shikojmë bashkë se çfarë ndodhi… Kjo kolege imja, kaloi gjithë ato vite të jetës së saj duke studiuar, shpenzoi mijëra dollarë që të bëhej “trajnuese e certifikuar”, pra kishte marrë njohuri të mjaftueshme që t’i kontrollonte ndjesitë e saj negative, por ajo nuk e përdori këtë njohuri dhe nuk arriti të vjelë asnjë dobi nga diploma që kishte marrë dhe u godit nga depresioni. Ndërkohë, ajo zotëronte gjithë njohuritë që i nevojiteshin për të bërë një ndryshim të plotë në jetën e saj dhe në jetën e atyre që i donte dhe kishte të gjitha mjeshtëritë që do t’ia lejonin të jetonte në një nivel të lartë jetese, por ajo nuk i vuri ato njohuri në zbatim dhe në veprim.
Mund të mbushesh me entuziazëm, të kesh energji të lartë, të kesh njohuri dhe fuqi mendore të cilat të nevojiten për të patur sukses, por, nëse nuk i vë në zbatim ato, të gjitha këto aftësi do të jenë të pavlera dhe nuk do të sjellin asnjë rezultat.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “10 çelësat e suksesit”