Mënyra jonë e reagimit ndaj pengesave me të cilat përballet fëmija mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi vetëvlerësimin e tij. Për më tepër, në varësi të reagimit, fëmija mund të ketë më pak vështirësi për t’i pranuar gabimet, ose që ka bërë një faj.
Disa fëmijë nuk veprojnë, nëse nuk janë të sigurt se mund t’ia dalin mbanë. Për shembull, disa nuk flasin nëse më parë nuk kanë mbledhur një sasi të mjaftueshme fjalësh; disa nuk pranojnë të hipin në biçikletën me tri rrota, deri në çastin që nuk janë të sigurt se dinë ta ngasin. Këta fëmijë janë nga ata që e pranojnë lehtësisht faktin se janë kapur në gabim. Në kapitullin pasardhës do të shohim se si t’i ndihmojmë për të pasur rezultate sa më të mira. Por tani, do të shohim shpejt e shpejt se si një prind mund ta ndihmojë fëmijën e tij që ta dojë vetveten, pavarësisht nga të metat që ka.
Mbi të gjitha, prindërit duhet ta pranojnë fëmijën për atë çka është. Mund të ketë një defekt fizik, mund të jetë shumë i dobët ose shumë i shëndoshë, mund të flasë pak, të mos jetë i zoti në veprimtaritë fizike, të vihet gjithnjë në siklet ose të zemërohet shpejt etj. Pak rëndësi kanë të gjitha këto, thelbësore është t’i pranosh vështirësitë e vërteta, edhe pse disa na prekin në mënyrë më të veçantë se të tjerat, sidomos nëse ato na kujtojnë
vështirësi që i kemi përjetuar vetë gjatë fëmijërisë sonë. Nuk është punë e lehtë të pranojmë se fëmija ynë nuk është i përkryer. Sa më të pafuqishëm të ndihen prindërit në ndihmën që i ofrojnë fëmijës për t’i zgjidhur problemet, aq më pak do të jenë të aftë t’i pranojnë vështirësitë e tij.
Flasim këtu për vështirësi, jo për kufizime. Kufizimet hasen rrallë dhe janë:
- Të meta fizike (paraliza, verbëri etj.);
- Të meta intelektuale (moszhvillim mendor etj.);
- Kufij që lidhen me zhvillimin (një fëmijë që nuk di të ecë në moshën 5-vjeçare etj.);
- Kufij të lidhur me ambientin (varfëri, izolim shoqëror etj.).
Gjithë të tjerat veç këtyre hyjnë në lëmin e vështirësive, ndaj varen nga përpjekjet. Por gjithmonë është e rëndësishme jo vetëm të jemi me këmbë në tokë në këtë pikë, por edhe që fëmija ta ruajë optimizmin e tij, që të kuptojë se cilat janë vështirësitë që ka dhe se ato mund të jenë të përkohshme apo që lidhen me cilësi të caktuara e se me kalimin e kohës do t’i kapërcejë.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”