Një problem i vështirë në lidhje me të lexuarit është mungesa e librave që u drejtohen adoleshentëve. Arsyeja e numrit tepër të vogël të librave për adoleshent mund të jetë fakti se nuk është lehtë për të shkruar për këtë fazë. Madje edhe librat që i gjejmë janë të papërshtatshëm dhe jotërheqës.
Për rrjedhim është përgjegjësi e babait të hulumtojë për libra, tregime dhe romane që janë të mira dhe të përshtatshme për t’u blerë fëmijëve ose për t’i udhëzuar që ti blejnë. Për këtë mund të konsultohen edhe edukatorët.
Një gjë tjetër është se kemi nevojë t’u ndihmojmë fëmijëve të gjejnë kohë të lirë për lexim, duke u dhënë më pak detyra që t’i kryejnë. Kemi vënë re se shumë prindër i stërngarkojnë fëmijët e tyre adoleshentë me punë të pafundme. Gjithashtu kemi nevojë të kontrollojmë telefonin mobil, internetin dhe shikimin e televizorit. Jam i vetëdijshëm se kemi shumë më pak autoritet ndaj adoleshen- tëve sa i përket përdorimit të këtyre makinave në krahasim me fëmijët e tjerë, mirëpo e kemi obligimi t’i mbajmë nën vëzhgim herë pas here. Ne vërtet kemi nevojë t’i monitorojmë aq sa kemi mundësi për aq kohë sa djemtë dhe vajzat tona jepen pas atyre aktiviteteve, sepse përndryshe nuk do të kenë kohë të lirë për lexim.
Nëse ke mundësi të regjistrosh fëmijën në një shkollë të suksesshme fillore dhe pastaj të mesme, mos ngurro. Edhe nëse të duhet të shpenzosh shumë para. Mësimi kualitativ, i cili ofron një shkollim të dalluar, sigurisht se do të inspirojë shpresë në zemrat e nxënësit dhe do t’i inkurajojë nxënësit të lexojnë, sepse kjo është pjesë e kërkesave të tyre pedagogjike. Prindërit duhet të jetë të vetëdijshëm se shumë adoleshentë nuk janë të sjellshëm dhe nuk i tërheq leximi për shkak të shkollave të dobëta në të cilat i kanë regjistruar.
Adoleshentët i tërheq leximi i literaturës së heroizmave në një mënyrë të barabartë që i tërheq leximi i lajmeve për krime, aventura dhe skandale. Familja mund të ndihmojë në zgjedhjen e disa librave për jetëshkrimin e figurave të mëdha të muslimanëve. Adoleshentët gjithashtu i tërheqin librat për zhvillimin e personalitetit dhe vetëndihmesës, prandaj duhet t’u zgjedhim libra të tilla në treg. Gjithashtu është i domosdoshëm takimi i tyre me dijetarë të njohur, mendimtarë dhe personalitete të shquara, si dhe me njerëz që kanë bërë të arritura të mëdha.
Vizita te njerëzit e tillë e përmbush dëshirën e adoleshentëve për epërsi, dallim dhe pavarësi. Shpresoj se shkollat dhe institutet e tjera dhe qendrat e dijes e marrin përsipër të organizojnë takime me personalitete të tilla, kështu që adoleshentët të inspirohen dhe të ndihen të motivuar prej tyre dhe të mësojnë nga përvojat dhe morali i tyre. Kjo është me rëndësi, sepse adoleshenca është një gjendje e lidhjes shpirtërore, prandaj bëjmë mirë që këtë lidhje t’ua bëjmë me figura dhe modele të suksesshme të kësaj bote.
Nuk kam nevojë të flas shumë për bibliotekën e shtëpisë, sepse tashmë kam thënë mjaft. Mirëpo më lejoni t’ua përkujtoj prindërve rëndësinë e një orari të leximit në të cilin marrin pjesë tërë anëtarët e familjes: prindërit, të rriturit dhe adoleshentët. Disa familje kanë kryer eksperimente shumë të suksesshme në këtë drejtim. Në një familje të gjithë anëtarët mbi moshën katërmbëdhjetë vjeçare janë pajtuar të zgjedhin një libër që i përshtatej çdonjërit, pastaj ta lexojnë brenda një muaji.
Në fund të periudhës së caktuar ata u mblodhën të jepnin përshtypjet e tyre për librin. Nëna ishte ligjëruese në universitet, ndërsa babai ishte avokat me profesion. Nëna përgatiti ëmbëlsira të shijshme për t’i shërbyer në takim. Ky projekt vazhdoi për gjashtë vjet. Gjatë kësaj kohe familje kishte lexuar rreth gjashtëdhjetë libra të fushave të ndryshme të dijes. Kur u mbajt një garë kulturore në qytet në të cilin morën pjesë familjet e interesuara, kjo familje zuri vendin e parë dhe pas një kohe të gjithë fëmijët e saj u bënë persona të njohur.
Natyrisht se disa familje nuk do të kenë mundësi t’i angazhojnë fëmijët e tyre të lexojnë në mënyrë të kënaqshme. Në këtë rast do të ishte ide e mirë të nxiten dhe inkurajohen ata në aktivitete të ndryshme, të cilat promovojnë leximin. Për shembull institucione të caktuara organizojnë udhëtime akademike-arsimore që i organizojnë edukatorë të aftë. Organizime të tilla nuk mungojnë, prandaj pjesëmarrja në to i shërben inkurajimit të leximit.
Një lloj tjetër i aktivitetit është ai i kurseve trajnuese në sferën e zhvillimit të personalitetit, kështu që prindërit të mund t’i inkurajojnë fëmijët e tyre të marrin pjesë në këto kurse. Një baba takoi shokët e të birit dhe i inkurajoi të formonin një grup të vogël, i cili do të përqendrohet në inicimin e orëve të leximit dhe huazimit të librave. Ky grup i vogël më vonë u shndërrua në një klub ekipor të madh të leximit, i cili kishte më tepër se dyqind anëtarë të rinj nga i njëjti qytet.
Ajo që më së shumti na brengos janë shokët e këqij dhe ata që e mbysin kohën. Të gjithë ata shokë nuk kanë fare aspirata dhe qëllime të vlefshme.
Shumë studime dhe hulumtime kanë ardhur në përfundim se 70% e devijimit të adoleshentëve vjen nga ndikimi i shokëve të tyre. Nxënësit përtacë i joshin të tjerët të lënë shkollën dhe të kërkojnë punë krahu dhe të jepen pas zbavitjes, lojës dhe të gjitha llojeve të kotësirave. Për rrjedhim, është e domosdoshme për çdo prind të sigurohet që shokët e fëmijëve të jenë të mirë, punëtorë dhe të zellshëm. Është fakt se shokët imitojnë veprat e njëri-tjetrit. Gjithashtu është e rëndësishme që nëse adoleshentët duken të pandryshueshëm, të mos heqim dorë. Zymtësia është tipar i adoleshentit, mirëpo me këmbëngulje, ai do të filloj të merret me lexim me entuziazëm.Problemi i neglizhencës së leximit është pjesë e fëmijëve dhe të rriturve dhe është fenomen i përhapur në mesin tonë. Mirëpo, sikurse me fenomene të tjera, është gabim të lidhim atë me ndonjë shkak të vetëm, ose ta trajtojmë atë vetëm me një metodë. Në të vërtetë, ne duhet të merremi me të me metoda të shumëllojshme. Mirëpo të mos harrojmë se mbështetja e Allahut është gjëja e parë dhe e fundit. Kështu na mëson Allahun në Kur’an:
“Neve na mjafton Allabu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ali Imran, 173
Dhe në një vend tjetër
“Edhe ata që thonë: O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!.” (El-Furkan 74)
Allahun e falënderoj, ndërsa paqja dhe bekimi i Tij qoftë mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”