Shumë prindër ankohen se fëmijët e tyre nuk qëndrojnë në një vend më tepër se një minutë, se ata nuk do të koncentrohen në asgjë, se edhe kur koncentrohen nuk u zgjat më tepër se dy ose tre minuta. Kështu, ata thonë: “Si mund që një fëmijë i tillë të ulet në një karrige një çerek ore ose për gjysmë ore për të lexuar një libër ose tregim?”
E vërteta është se hiperaktiviteti është shumë i përhapur në shumë shtëpi. Disa studime tregojnë se te disa shoqëri përqindja e fëmijëve me hiperaktivitet shkon deri në 15%, duke mos përfshirë ata që kanë mungesa të përqendrimit.
Ndërsa ata që vuajnë nga hiperaktiviteti dhe mungesa e përqendrimit arrijnë 5%. Askush nuk mund të thotë se fëmija me hiperaktivitet ose mungesë të përqendrimit e përfiton shprehinë e leximit më shpejt ose më mirë se fëmija normal. Mirëpo gjithmonë ekziston mundësia që të bëhet një zgjidhje për këtë dhe të arrihen disa përmirësime.
Është po ashtu e vërtetë se shumë fëmijë janë tepër aktivë, mirëpo aktiviteti i tyre nuk arrin pikën për të qenë një problem që kërkon tretman. Aktiviteti i tillë kthehet në nivelet normale në moshën shtatë ose tetë vjeçare. Mirëpo fëmija duhet të trajtohet me durim dhe kujdes në çfarëdo rrethane.
Një nënë tregon: “Një vajzë e imja nuk ishte aq e dhënë pas leximit dhe nuk arrinte të bëhej një lexuese e rregullt. Fillova një përpjekje për të sjellë një ndryshim në karakterin e saj që ta bëja më të lidhur me leximin dhe isha e gatshme ta bëja këtë me durim dhe këmbëngulje.
Së pari, fillova të lexoja gjerësisht për këtë temë dhe pastaj iu përvesha punës. Pyeta veten se çka i pëlqen më shumë të bijës të lexojë. Eksperimentova dhe zbulova se tregimet humoristike dhe komike si dhe libërthat e tërhiqnin më tepër vëmendjen e saj. Ato e mbanin vëmendjen e saj për gjashtë ose shtatë minuta. Kështu, çdo dy javë i blija nga një libër me tregime. Pastaj, gjatë shujtave i kërkoja të na tregonte disa nga tregimet më komike që i kishte lexuar dhe ne qeshnim shumë me atë që na tregonte. I thosha asaj: “Ti je anëtari më i mirë i kësaj familjeje, sepse ti zbavit çdonjërin prej nesh,” dhe kjo i shtoi entuziazmin për të lexuar.
Pas ca kohe fillova t’i sillja disa tregime që kishin më pak humor. Ajo i lexonte dhe i përmblidhte për të fituar aprovimin tonë. Pastaj erdhi koha kur shkuam së bashku për t’i blerë disa libra me nga 150 faqe dhe ajo i lexoi me dëshirë. Tani ajo është studente në një fakultet shkencor dhe ka dituri të shkëlqyer për Islamin.
Gjëja e rëndësishme është se natyra e saj dinamike është transferuar në libra. Tani ajo lexon libër pas libri. Ajo gjithashtu merr pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore. Për momentin ajo po punon në një studim të rëndësishëm. Me mirësi dhe punë graduale arrihet aq shumë sa nuk imagjinohet.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”