Anduena Hajredinaj Buqani, e nisi profesionin si mësimdhënësve paralufte, saktësisht para 28 viteve. Kujton se udhëtonte 3 orë për të mësuar nxënësit në shtëpitë shkolla.
Në një intervistë për AlbanianEducation.net ajo rrëfen raste tejet interesante nga koha si mësuese paralufte, flet për dallimin e arsimit paralufte dhe tani, si dhe flet edhe për temat e mjaftpërfolura si, nëse duhet të testohen apo jo mësimdhënësit, për çështjen e pagave etj.
Lexoni të plotë intervistën me mësuesen Anduena:
Një CV, prezentim që të ju njohin lexuesit me shume?
Quhem Anduena Hajredinaj Buqani, profesoreshë e lëndës së matematikës që mbi 28 vite. E lindur dhe e rritur në Prishtinë. Kam përfunduar Gjimnazin “Xhevdet Doda”, drejtimi Bashkëpuntor i matematikës /programer, studimet në UP/FSHMN drejtimin arsimor Matematikë, Masterin dhe tani jam në studime të doktoratës në Matematikë. Kam të përfunduara rreth 40 trajnime për udhëheqje, arsim e mësimdhënie. Trajnere dhe administratore për mësimin online, testimin SAT math, administrimin online dhe ditarin digjital. Pjesmarrje në konferenca ndërkombëtare dhe kombëtare mbi arsimin dhe administrimin e tij në të gjitha nivelet. Mësimdhënëse mentor dhe e licensuar me përvojë mësimi në të gjitha nivelet si e rregullt dhe honorar. Kam filluar punën si mësimdhënëse gjatë luftës në SHMT ‘’28 Nëntori’’, në Prishtinë, pastaj me fëmijë të ikur nga lufta në SHME ‘’8 Shtatori’’ në Tetove, në UP’’Hasan Prishtina’’në Fakultetin e Matëmatikës, Fizikës, Kimisë dhe Gjeografisë, Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, Prizëren, Gjilan dhe Mitrovicë, Fakultetin e inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Bujqesisë, Fakultetet ekonomike në Universitetin AAB dhe Kolexhin “Biznesi” në Prishtinë, në Fakultetin e Edukimit në Kolexhin “Gjilani” në Gjilan, në “BAU Academy” në Prishtinë, në Gjimnazet Natyror dhe ai Shoqëror si dhe SHMU tek “British School” në Fushë Kosove, SHMT “Shtjëfën Gjëqovi” në Prishtinë, SHML “Gjin Gazulli” në Prishtinë etj. Profesor mentor për studentë dhe mësimdhënës, niveli edukator, mësues e arsimtarë për pesë vite në kuadër të Fakultetit të Edukimit në Prishtinë dhe në Gjilan etj. Jetoj në Prishtinë por nuk i them JO punës në asnjë rajon të Kosovës. Arsimimi i popullit është misioni dhe vizioni im.
Do të na thuash për fillimin e punës si mësimdhënëse? Si e kujtoni kur keni kapur ditarin për herë të parë, ç’ndjenjë ishte për ju?
– Unë jam bijë e veteranit të arsimit Prof. Akademik Jakup Hajredinaj piktor por që për nxënësit ishte edhe instrumentalist, koreograf, aktor, dramaturg, regjisor, njëri nga themeluesit e gjimnazeve të Gllogovcit dhe të Lipianit, fitues në gara ndërkombtare në art me nxënës edhe gjatë luftës duke fituar dy medalje të arta e një të argjend, mirënjohje e dhurata të shumta, ka punuar në tërë Kosoven etj. Vdekja e mori papritmas në gjysmen e viteve ’90 duke ia ndërprerë hovin e punës. Ishte i gjithanëshëm dhe shëmbulli im se si duhej të punohej. Dhe kam vazhduar punën e tij me intenzitetin dhe energjinë e tij vetëm se në fushën e matematikës duke u marr me artin e numrave. Nuk i kam thënë asnjë mundësie punësimi jo. E lodhëshme por ndjenja që po kontriboj diçka për vendim tim gjithmonë më jep kënaqësi. Edhe puna gjatë luftës këtë ndjënjë me jepte, kënaqesi që po kontriboja dhe krenari. Shpesh herë hyja nëpërmes policëve apo bashkpunëtorëve të tyre, por asnjëherë nuk kam ditur të friksohëm për vete, frikësohesha së mos po i provokonin nxënësit, e nxënësit frikësoheshin së mos po më provokonin mua. Dhe kjo më shtynte ta jepja maksimumin si mësimdhënëse edhe pse kushte nuk kishte dhe nxënësit mundin ma shpërblenin me rezultate. Ndjehësha krenare atëherë për vetën time ashtu siç ndjehem krenare edhe sot me punën dhe angazhimin tim. Arsimimi i gjeneratave të reja duhet të jetë mision i çdo mësimdhënësi.
Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante gjatë ushtrimit të profesionit si mesuese paralufte?
– Do ta veçoj ditën e parë të punës time në arsim gjatë luftës nga shumë e shume ngjarje të tjera. Ditën e parë më mori sekretari dhe me tregoi së në cilën shtëpi cilat paralele ishin sepse ishin gjithsejt tri shtëpi ku zhvillohej mësimi. Tek njëra shtëpi e cila ishte dy katëshe para derës kryesore po rrinte një djalë i pashëm flokverdhe i cili në dorë po e sillte një thikë me dy tehe. Sekretari më tha që ta injoroja sepse ishte i rrezikshëm dhe se nuk dëshironin të kishin punë me policinë serbë, prandaj me kërkoi të ja vendosja një dysh në fund, të mos ta shënoja në munges dhe të mos i flisja fare. Por unë kur i kalova pranë e përshëndeta sepse mu duk sikur e vuante vetminë. Ishte një 14 vjeçar. Ai u habit, por e vrejta që edhe u gëzua. Mësimdhënsja që kishte punuar para meje në shkollë kishte mbajtur test me nxënës të cilat i kishte vlerësuar ajo vet. Kështu që detyra ime e parë ishte që vetëm t’i vendosja notat në ditar. Pas prezentimit në klasën e parë që hyra fillova dhe i vendosa notat në ditar të gjitha njësha dhe njësh plus. Pas pushimit hyra në klasën e dytë. Ishte i njëjti vlerësim, të gjitha të dobëta. I vendosa gjysmen e notave dhe u ndala, i shikova fëmijët, ishin zbehur dhe me shikonin gjithë frikë. E mbylla ditarin u ngrita në këmbë dhe ju thashë së notat e këtij testi nuk vlejnë, as ato që i kisha vendosur në ditar, por as njëshat e vendosur tek klasa tjetër, dhe se do të bëjme dy javë përsëritje dhe ushtrime e pastaj do ta përsërisim testin. Fëmijët u gëzuan dhe lajmi u përhap shpejt nëpër tri objektet shkollore shtëpi saqë kur shkova tek klasa e tretë dhe e hapa derën në orën e tretë u ndesha së pari në shikimin e një vajzë që edhe sot e kam kujtim të gjallë, një vajzë lëkurë bardhe me flokë të kaftë të drejt me pak krëla në fund e me dy duart e bëra grusht e të vendsura nën mjekërr, sikur kur lutet njeriu dhe sytë e zinjë sikur të një qëngji që i shkëlqënin në maksimum të përlotur e plot lutje e falënderim. Rrezet e diellit që i kishin rënë e bënin të dukej si një shënjtore. Kjo vajzë është vrarë pastaj gjatë luftës nga snajperët serb derisa po e shpëtonte vëllanë e saj 3 vjeçar nga snajperët dhe duart e babait të saj të vrarë. Sa herë e kujtoj me dhemb shpirti. Hyra në klasë dhe i pashë dy djem që po rriheshin në mes vete. Ndërhyra me një pytje se çka po ndodh dhe njëri ishte djali flokverdhë i rrëzikshmi i shkollës i cili sapo më pa ndaloi dhe u ul në vend. Derisa po e shënoja orën nxënësi tjetër e ngacmonte nxënësin flokverdhe duke ja lëkundur cungun ku ishte ulur dhe ky iu drejtua me një qërim hesapesh pas mësimit. Duke e ditur se ai ishte i armatosur iu drejtova se nuk kishte nevojë të mirrej me të pas mësimit, por brenda orës dhe e luta të dilte në tabelë. I kërkova që ta vizatonte shokun që e ngacmonte ashtu siç e vizatojnë fëmijët parashkollor njeriun duke përdorur rrumbullakun dhe vijat. Pastaj i kërkova t’ia vizatonte si pika mjekrrën dhe flokët nëpër vijën rrumbullak si dhe hundën si pikë mesi… Ai qeshte, qeshte dhe klasa dhe ashtu duke qeshur nëpërmjet shakasë i nxorëm përkufizimin e rrethit, segmentit,gjysëmdrejtëzave e të drejtëzës si dhe nxënësi flokverdhë po komunikonte duke qeshur me shokët, ishte i lumtur. Nxënësi ngucakeq që kishte ardhur nga një zonë e luftës i inatosur doli nga klasa, dola pas tij dhe pasi i tregova arsyen e veprimit tim dhe i kërkova falje me kërkoi falje edhe ai mua dhe u kthye në klasë dhe u pajtuan. Edhe nxënësi flokverdh pasi përfundoi ora dhe biseduam, më premtoi dhe kurrë më nuk e mori thikën në shkollë. Të nesermen kur shkova në shkollë me përshëndesnin të gjithë nxënësit dhe me lëshonin udhë. Ju kisha fituar respektin. Isha e lumtur dhe ftyrat e tyre më bënin te harroja lodhjen e rreth 1.5 orë rrugë këmbë që bëja vetëm në një drejtim sepse nuk kisha transport e as financa për të ndërruar dy autobus deri në shkollë.
Dallimi mes të arsimuarit breza paralufte dhe paslufte sipas jush?
– Është i madh. Dëshira e fëmijëve për arsim para lufte ka qenë me e madhe se sot. Ka qenë edhe si pjesë e ndjenjës kombëtare. Sot nuk shihet shkolla si çelës për fitim dhe një jetë me të mirë. Nga familjet me prindër të paarsimuar shihet si një rrugë drejt ngritjes në shoqëri dhe nga familjet e arsimuara si ruajtje e pozicionit por jo si mjet pasurimi por, fëmijët nuk i mendojnë këto gjëra dhe atyre ju intereson vetëm fitimi dhe paraja si çelës i depërtimit në shkallët me të larta të shoqërisë, prandaj sot ka shumë braktisjë të shkollimit dhe rënie të numrit të nxënësve në disa drejtime duke i’a shtuar këtu edhe pakënaqësitë lidhur me sistemin e dobët arsimor. Fëmijët sot e shohin shkollën fatkeqësisht vetëm si detyrim.
Shumica e mësimdhënësve janë të pakënaqur me pagat që marrin. Sa do të ishte paga ideale që meritojnë mësimdhënësit?
– Jam një mësimdhënëse që në vitet e luftës kam punuar 6 muaj pa pagesë, pastaj për një pagesë të vogël, pastaj pas lufte si prind e kam pa sa e dhimbshme është të mos mundësh të realizosh dëshirat e fëmijëve të vegjël , dhimbje që vazhdon edhe sot kur fëmijët kanë ndonjë kërkesë që është e arsyeshme por nuk e ke mundësinë. E di që shume kolegë janë në gjendje të tillë. I përcjell pagesat dhe zhvillimin e arsimit në rajon dhe nëpër botë. Mashti duhet të deklarohet haptas për mbështetjën apo jo të arsimit publik sepse nëpër shtetet e zhvilluara kapitaliste prioritet për shtetin janë shkollat private ndërsa shkollat publike shihën si shkolla për shtresat e varfëra dhe mesatarë dhe mësimdhënësit publik nuk janë të favorizuar sikurse tek shkollat private. Ka një favorizim të heshtur për arsimin privat sepse me lehtë kontrollohet. Arsimi publik shihet si problematik sepse është më veshtirë për tu kontrolluar për shkak të diversitetit të tij.
Një sistem i mirë i pagesës është koha e Daksnerit pas lufte me të vetmen të metë ku ka qënë i papërfshirë stazhi për shkak të mungësës së të dhënave ku dallimi në mes të niveleve të mësimdhëniës nuk ka qënë shumë i madh për nivelin e njejtë të arriturave akademike. Kështu një profesor i shkollës së mesme të lartë e ka pas rrogën me të vogël se asistenti i një fakulteti me të njëjtën arritje akademike, vetëm për 24.70 euro dhe ky dallim duhet të jetë edhe sot. Nëse sot një asistent në fakultet sot e ka rrogën prëj 796 eurosh një mësimdhënës me nivelin e njëjtë të arsimit në shkollën e mesme të lartë duhet ta këtë rrogën jo më pak se 772 euro. I njëjti ndryshim duhet të vlej edhe për nivelet tjera me të njejtat shkallë arsimimi. Kjo do të jetë një nxitje për mësimdhënësin që të arsimoj vetën sa me lartë dhe të rritet cilësia. Pra,një mësimdhëniës në shkollën e mesme të lartë me fakultet lëndor nuk duhet të këtë rrogën më të vogël se 772 euro me thirrjen profesor sikursë një asistent i ri, një mësimdhënës me fakultet edukimi në shkollën e mesme të ulët jo me pak se 720 euro e një mesues me fakultet edukimi jo me pak se 695 euro, edukatorja me fakultet edukimi jo me pak se 670 euro. Kam përvojë në Fakultetin e Edukimit dhe ai nuk mund të barazohët asnjëherë me një Fakultet lëndorë si FSHMN,Teknik, Mjeksisë, Filologjik, Filozofik etj. dhe një mësimdhënës që ka kryer fakultetin e edukimit nuk mund të punësohet në arsimin e mesëm të lartë e as në një fakultet lëndor si asistent edhe nëse ka përfunduar masterin apo doktoraturën sepse ai do të këtë gjithnjë mangësi njohurish për këto nivele. Punësimi i tyre në këto nivele është gabim dhe shkelje ligji dhe kjo dërgon në ramjen e numrit të studentëve në këto fakultete lëndore dhe rritjen e kërkesës për Fakultetin e Edukimit e kështu nuk arrihet cilësia dhe humbën kuadrot e larta universitare.
Një pyetje që po vazhdon të mbetët aktuale në ditët e sotme është nëse duhet të testohen mësimdhënësit. Ç’mendim keni ju për këtë?
– Sigurisht që jam kundër. Eshte mohim i 100 vjet arsim në Kosovë. Është fyerje për cdo sistem arsimor që ka ekzistuar. Kam punuar dhe punoj në të gjitha nivelet e arsimit jo vetëm në Prishtinë por nëpër shumë rajone të Kosoves dhe kam parë shumëcka. Po flas nga përvoja. Para disa viteve gjatë trajnimit për veprim demokratik në shkolla kam pasur një debat të ashpër me një zyrtar të Mashtit i cili e quajti të pavlerë tërë arsimin parauniversitarë e universitarë të paraluftës sepse sipas tij kanë punuar si mësimdhënës njerëz të shkolluar në Beograd, Rusi e mësimdhënës nga Shqipëria komuniste që nuk kanë vyer asgjë dhe pastaj në Kosovë kanë nxjerr kuadro të dobëta… Zotëria rreth të 40- tave e quajti vetën të fortë sepse ishte shkolluar pas luftës. Ky njeri dhe të ashtuquajturit ekspert të Mashtit të cilët janë që 24 vite aty ende si ekspert dhe e sollën arsimin këtu ku është të më testojnë mua apo kolëgët e mi as që vie në shprehje. Pastaj, mos të flas për shumë drejtorë e zyrtarë që janë me dy këmbët në politikë e biznes. Njerëzit e tillë që nënçmojnë, bullizojnë e shantazhojnë mësimdhënësin cfarë vlërsimi mund të japin!? Nuk ka të bëj me SBASHK, nuk jam pjesë e tij por me dinjitetin e mësimdhënësit dhe sistemit arsimor. Testimi është vetëm një përpjekje për të futur nën kontroll politik mësimdhënësin. Nëse nuk je i përshtatshëm do të penalizohesh nëse jo në test sepse po e kalon, atëherë do jesh vazhdimisht nën vezhgim pa mundësi avancimi deri sa të përshtatësh. Mësimdhënësit duhet të avancohën në bazë të një inspektimi të të arriturave akademike, përvojës së punës, dosjes përsonale, rezultateve të punës, vlersimit në intervistë rastësore të disa nxënësve dhe komunitetit, sjelljes e bashkpunimit ndërkolegial dhe në fund raportit nga administrata e shkollës për të cilin bëhet një hetim duke e krahasuar me të dhënat e mbledhura nga intervistat me palët tjera dhe dëshmitë ë ofruara nga mësimdhënësi. Nëse të dhënat bien në kundërshtim duhet të hetohet, inspektohet drejtori dhe administrata. Në këtë rast duhet të hetohen edhe vlefshmeria e diplomave në qëndër. Por vetëm nga njërëz të rinj të Mashtit jo politik nëse ka e që e kanë punë të zemrës ngritjën e cilësinë e arsimit Kosovar. Një mësimdhënës mund të inspektohet vetëm nëse ka ankesa nga nxënësit për mospunën ë tij apo ka dyshime për korrupsion, ngacmim etj. As mësimdhënësit e rinj nuk duhet të testohen por në vitin e parë të punës të punojnë si praktikant me një rrogë më të vogël me një mentor i cili cdo tre muaj përpilon raport për të dhe të paktën dy herë brenda vitit vizitohet nga inspektorë të arsimit befasisht për të dy, mentorin dhe mësimdhënësin praktikant.
Vetëm kështu filtrohet sistemi arsimor dhe mësimdhënësi nuk do të shihet si një votë politike. Ata, të dyshimtit do ikin vet nga arsimi nëse veprohet kështu me ndershmëri të plotë. Mësimdhënësit nuk kanë nevojë për testim, por për besim dhe mbështetje në çdo aspekt. Uroj të ndodh!
Për fund, çfarë masa duhet ndërmarrë që të përmirësohen rezultatet e PISA-s?
– Sa i përket testit Pisa nëse vazhdohet me politika të tilla arsimore jo cilësore rezultatet do të vazhdojnë të jenë të dobëta. Testi Pisa nuk është dashtë të ndodhe farë në një vend tranzacioni me probleme e mosmarrveshje të shumta si mbrenda shtetit ashtu edhe me shtetet tjera. Antarsimi në Pisa ka qenë gabim i Masht-it. Që atëherë secili ministër i ri i Masht-it që e ka marr detyrën e ka drejtuar gishtin nga mësimdhënësit e fëmijët duke e larguar përgjëgjësinë nga vetja. Nxënësit tanë jashtë Pisas shkëlqëjnë nëpër botë për dije. Përderisa politika nuk e merr fajin dhe përgjegjësinë për gjëndjen në të cilën e ka sjell arsimin, ta injoron Pisa-n dhe rezultatet e saj dhe të fillon të merret seriozisht me infrastrukturën dhe përmirësimin e kushteve për jetë dhe punë të mësimdhënësve dhe të nxënësve, rezultate të mira nuk do të këtë. Mësimdhënësit dhe nxënësit nuk duhet të punojnë punë të dyta për mbijetesë. Shkolla dhe arsimimi për të gjithë duhet të jetë prioritet. Çdo gjë e ka në dorë qeveria dhe Mashti. Po flas për të gjitha partitë politike. Me frikësim e presion nuk rregullohet asgjë e as rezultatet në Pisa. /AlbanianEducation.net