A mendoni dhe ju se ka fëmijë dembel? A mendoni dhe ju se fëmijët do të duhet që të jenë të vetë motivuar për të lexuar më shumë, për të rregulluar dhomën e tyre vet dhe për të bërë detyrat kur është koha e detyrave?
Para disa ditësh, një nënë erdhi në klinikën time e shqetësuar se djali i saj e kishte shumë të vështirë të çonte një detyrë deri në fund. Për të kuptuar më shumë, e pyeta se cilat ishin disa prej detyrave që ai nuk arrinte t’i çonte deri në fund?
Ajo fillojë të më listonte detyrat e tij: Të rregullojë gjithë dhomën e tij i vetëm, të bëjë detyrat e shtëpisë, të lexojë një libër nga fillimi deri në fund…dhe të tjera si këto. Nënës i dukeshin të gjitha detyra shumë të thjeshta të cilat do të duhet të bëheshin me lehtësi nga djali i saj 10 vjeçar. Në fakt, një fëmijë 10 vjeç, mund të arrijë të çojë një detyrë nga fillimi deri në fund, nuk do të duhet të jetë një problem, deri në atë pikë sa nëna të mund t’i drejtohet një profesionisti për të marrë disa këshilla se si mund të veprojë ndryshe. Në fillim duhej të sigurohesha se si kishte vepruar nëna deri tani me djalin e saj për të kuptuar se si do të vepronim në të ardhmen. I kërkova nënës të më përshkruante kujdesshëm dhe me detaje se si ia kërkonte detyrat djali të saj?
Ajo më tregoi atë që më tregojnë pjesa më e madhe e prindërve, thjesht duke i dhënë një udhëzim: shko të rregullosh dhomën tende! Shko të bësh detyrat e shtëpisë! Merre një libër dhe lexoje!
Nëna e kishte shumë me merak që fëmija i saj të ulej dhe të lexonte më shumë pasi ajo mendonte se bashkëmoshatarët e tij lexonin shumë herë më tepër ndërkohë që të birin e shikonte shumë dembel. A mendoni dhe ju se ka fëmijë dembel? A mendoni dhe ju se fëmijët do të duhet që të jenë të vetë motivuar për të lexuar më shumë, për të rregulluar dhomën e tyre vet dhe për të bërë detyrat kur është koha e detyrave?
Unë mendoj se duke e vizualizuar të gjithë pamjen, duket si një nga ato situatat perfekte të një reklame e cila nxjerr në pah anët më të mira të produktit. Pra duket sikur pamja që na vjen në kokë i përket të pamundurës. E si mundet një fëmijë të jetë kaq i kompletuar sa jo vetëm të marrë udhëzimet menjëherë, por edhe t’i çojë ato deri në fund. A është e mundur kjo?
Lajmi është i mirë. Sigurisht që kjo është e mundur, vetëm se fëmijët kthehen në dembel dhe të pamotivuar pikërisht nga rrethanat. Nuk ka fëmijë dembel apo fëmijë që nuk duan, ka thjeshtë fëmijë të cilat e shikojnë një detyrë më të vështirë ose më të lehtë se ç’duhet, ose përfitimet nuk janë motivuese për të arritur sjelljen e synuar. Unë si analiste dhe psikologe sjellore, do të rekomandoja disa hapa esencial që të mund ta bëjnë fëmijën të bashkëveprojë më lehtësisht dhe madje të ndjehet i kënaqur që është pjesë e bashkëveprimit me prindin në çdo detyrë që i jepet. Gjithashtu, do t’ju jap disa pika lehtësuese se si ta bëjmë fëmijën të jetë më pranë librit dhe të gjejë kënaqësi në procesin e të lexuarit, pasi jo të gjithë fëmijët janë të vetë motivuar dhe të prirur për të qenë kompliant.
Disa hapa të thjeshtë që mund të ndërmerren:
1. Së pari, duhet të vendosni qëllimin ose sjelljen e synuar për fëmijën. Për të vendosur këtë do të duhet të shikoni se çfarë bënë aktualisht fëmija? Deri ku arrin fëmija të jetë i suksesshëm në bërjen e një detyre? Pra, nëse ju i kërkoni të lexojë një libër, sa faqe mund të lexojë i motivuar dhe sa është kohëzgjatja?
2. Më pas, duhet të vendosni një kriter të ardhshëm duke filluar nga mesatarja e faqeve në ditë dhe koha që fëmija përfshihet në një detyrë. Kjo do të thotë se ne duhet të vendosim së bashku me fëmijën kriterin e ardhshëm objektiv duke u nisur nga mesatarja e nxjerrë.
Nëse mesatarja është 5 faqe brenda 20 minutash, atëherë duhet të vendosim kriterin 6 faqe brenda 20 minutave. Koha për momentin nuk ndryshon për të rritur sasinë e faqeve brenda minutave të shpenzuara. Mbasi kemi arritur faqen e 10-të, do të duhet të ndryshojmë edhe kohën. Mateni kohën me kriterin tuaj, duke njohur dhe performancën e leximit të fëmijës. Sa kohë i duhet një individi të lexojë 10 faqe? Nëse koha nuk është kriteri që ju shqetëson, mund të qëndroni vetëm te numri i faqeve.
3. Ju doni që fëmija të lexojë të gjithë librin, por për të qenë realist dhe me këmbë në tokë, i gjithë libri nuk arrin të lexohet brenda ditës. Sigurisht që mund të lexohet, por për fëmijën tuaj kjo duket së është e vështirë dhe duhet të jemi objektiv me vendosjen e objektivave.
Zakonisht, unë jam në kërkim të ndjenjave drejt arritjeve. Pra dua që fëmija të jetë i kënaqur me arritje objektive. Ndaj dhe u rekomandoj prindërve të vendosin kritere objektive. Një mënyrë praktike është që të mund të vendosni ndarëse letrash me shigjetë, me ngjyra të ndryshme për çdo kapitull të librit. Vendosja e një kohë relative për kapitull të mbaruar. Fëmija kështu nuk ka pse të jetë me ankthin se do të duhet të mbarojë gjithë librin, por të ndjehet i suksesshëm me hapa të vegjël por shumë të rëndësishëm për arritjen e fëmijës.
4. Kombinoni vazhdimisht leximin e fëmijës me kënaqësinë për të qëndruar me prindërit. Hera-herës ftojeni fëmijën që të lexojë në praninë tuaj. Këtu ka disa alternativa, fëmija lexon librin e tij dhe ju tuajin, ose ftojeni fëmijën t’ju lexojë një kapitull nga libri i tij.
5. Edhe pse fëmija zgjedh të lexojë vetë gjatë ditës, ose ia kërkoni ju, sërish ofrojini një mundësi që t’i lexoni diçka nga një prej librave. Nëse fëmija është më i vogël dhe ende nuk di të lexojë, ofrohuni t’i lexoni çdo mbrëmje nga një kapitull të ndryshëm ose nga një libër të ndryshëm. Kështu ju i ofroni modelin tuaj, e kushtëzoni librin me kënaqësinë që ka fëmija të qëndrojë me ju.
6. Organizoni një bllok kalendarik, ku për çdo arritje të fëmijës, së bashku shënoni me një frazë, paragraf të parapëlqyer ose një vizatim të vogël të cilin e ngjisni në të. Gjithashtu shoqërojeni me titullin e librit.
7. Kur fëmija është në moshë të vogël, është e rëndësishme që çdo javë të ketë dhuratë një libër të ri. Do të ishte e udhës që një herë ta zgjidhin ju dhe t’ia bëni surprizë dhe një herë të shkoni së bashku të blini diçka në librari.
8. Vendosni në dhomën e fëmijës një tabelë me shkumës me ngjyra dhe pas moshës tre vjeç, prezantojeni me një gërmë të alfabetit. Shkruajeni së bashku në tabelë dhe çdo ditë gjeni nga një fjalë që fillon me këtë gërmë prej librave që fëmija lexon. B-balena, biçikleta, etj. Një germë çdo javë do të ishte shumë mirë.
9. Një tjetër ide shumë e mirë kur fëmija mbaron një libër është të bëni një festë të vogël në mbrëmje, me ëmbëlsirën e preferuar të fëmijës dhe të vendosni librin në tavolinë përpara të gjithë familjarëve, ndërsa i tregoni arritjen që ka bërë djali apo vajza juaj.
Mbrëmja do të marrë emrin e librit që fëmija ka lexuar ose të një prej personazheve që fëmija e ka aq shumë qejf. Kështu i ofroni mundësinë fëmijës të përforcohet, të shpërblehet për arritjet e tij dhe ta mbarsë me vete për të përsëritur të njëjtën sjellje në të ardhmen. Në të njëjtën mënyrë do të duhet të veproni edhe me arritjet e fëmijëve në shkollë. Një festë e vogël apo dhe e madhe për arritjet e fëmijës.
10. Emrat e librave që fëmija lexon, vendosini sipas radhës të shkruara njëra pas tjetrës në një shirit të gjatë të cilin e vendosini në mur. Gjithashtu inkurajoni që të shënojë datën e fillimit dhe të mbarimit.
11. Vendosni një kohë të caktuar për fëmijën që të shikojë TV. Atë kohë kujdesuni që ta kaloni së bashku. Kontrolloni programet që fëmija shikon për të shmangur çdo film që nxit dhunën apo urrejtjen. Në të njëjtën mënyrë veproni edhe për lojërat elektronike.
12. Çdo vit vendosni një javë të cilën do ta quani “”Java pa TV”. Kështu do të mund ta ftoni fëmijën të disiplinojë kënaqësitë e tij, pa të cilat lehtësisht mund të jetohet.
13. Krijoni një grup libri me fëmijë të tjerë të miqve tuaj. Inkurajoni që të ndodhë e pakta një herë në muaj, e shumta një herë në javë. Bëni një rotacion me prindërit e tjerë për drejtimin e grupit.
14. Pasi fëmija të mësojë të njohë shkronjat inkurajojeni që të lexojë çdo titull libri, çdo tabelë dhe çdo emërtim rruge. Kështu fëmija përfiton të shpërblehet nga sukseset e vogla. Nxiteni sa herë që ka nevojë për ndihmë me qëllimin për ta tërhequr nxitjen sa më parë të jetë e mundur që fëmija të jetë i pavarur.
15. Nëse fëmija ka një motër apo një vëlla më të vogël inkurajojeni që t’i lexojë një prej historive të tij të shkurtra.
16. Nga çdo lexim, nxirrni fjalët e vështira dhe shikojini së bashku në fjalor. Jepni shembuj për këto fjalë që fëmija të mund të kuptojë më mirë se për çfarë bëhet fjalë.
17. Nëse është e mundur, tani që ka disa librari në qytet, ofrojini mundësi që të ketë një kartë regjistrimi në librari dhe hera-herës të tërheqë libra.
18. Pyesni vazhdimisht se çfarë fëmija ka kuptuar me këtë histori, duke nxjerrë moralin e saj. Çfarë do lloj gjëje që fëmija thotë, mos e gjykoni. Shpërblejeni dhe kujdesuni që ta mbajë mend.
19. Si përfundim, vendosni libra nëpër të gjithë shtëpinë, që fëmija të ketë akses. Këto janë disa hapa praktikë se si të ndihmoni fëmijën që të çojë detyrën e leximit me sukses drejt vazhdimësisë, ose prindërit do ta quanin deri në fund. Unë mendoj se ne po kërkojmë shumë pak prej tyre, ne po kërkojmë fundin e një libri, ndërsa ambicia jonë si prindër do të duhet të shtrohet te stili i jetesës, te dëshira, motivimi për të lexuar.
Hapat e vegjël janë shumë të rëndësishëm, sikurse mund ta provoni edhe te detyrat e tjera. Ofrojini mundësinë fëmijës që të rregullojë dhomën e tij, por mos e filloni me të gjithë dhomën. Jepini një detyrë më të thjeshtë dhe të suksesshme. Kështu mund të veproni dhe me detyrat e shtëpisë. Zbuloni deri ku fëmija mund të jetë i suksesshëm dhe filloni që prej asaj pike dhe më tej.
Kështu ju do të shtoni mundësitë për sukses të fëmijës në vend që padashur të këmbëngulim në dështimin e tij. Jam e sigurt se do të mrekulloheni prej asaj se çfarë mund t’ju sjellë fëmija. Aftësitë e tij janë unike dhe të pashoqë.
Autore: Drnt. Denata Toçe, psikologe
Portali Shkollor